Zaev ka shumicën, BDI nuk i duhet më në qeveri, a po hapet rruga për hetimin e “integristëve” të dyshuar?!

Shpërndaje

Pas takimeve intensive me drejtuesit e partive opozitare, kryeministri Zoran Zaev, ka paralajmëruar se së shpejti do të njoftojë për riformatimin e qeverisë. Zgjerimi i kabinetit të tij me të paktën shtatë deputetë të Besës dhe PDSH-së, jo vetëm që do t’i krijoj më tepër stabilitet qeverisë por edhe mund ta nxjerr nga loja BDI-në, njofton lajmpress. Menjëherë pas formimit të qeverisë, deputeti rom Amdi Bajram njoftoi se do të mbështesë pushtetin. Përveç tij edhe deputeti maqedonas Çedomir Sazdovski, kaloi nga partia Grom në LSDM. Edhe tre deputetë të Partisë Socialiste “tradhtuan” VMRO-DPMNE-në dhe pritet të mbështesin mazhorancën.

Nëse Zaev arrinë të sigurojë edhe 7 deputetët e Besës dhe Pdsh-së, shumica do të ketë 71 deputetë ndërsa qeveria e tij nuk do të rrezikohej edhe nëse do të largoheshin 10 deputetë e BDI-së. Dobësimi i rolit të partisë së Ahmetit, do të ishte i mirëseardhur për LSDM-në, e cila publikisht në çdo rast ka përsëitur se koalicionimi i saj me BDI-në është rezultat i shifrave të imponuara. Zyrtarë të lartë të këtij subjekti në kushte anonimiteti thonë se “integristët” në shumë janë bërë pengesë për zbatimin e politikave reformuese të Qeverisë.

Njohësit e rrethanave politike në vend, shpeshherë kanë përsëritur se nëse sigurohet shumicë e re, pa votat e BDI-së, kjo do t’i hapte rrugën edhe hetimit të krimeve nga ana e zyrtarëve të partisë së Ahmetit gjatë qeverisjes me Gruevskin. Nga BDI-ja nuk kanë komentuar zgjerimin e mundshëm të qeverisë, por burime brenda këtij subjekti thonë se Ahmeti nuk do të heq dorë nga asnjë ministri. Sipas të gjitha gjasave postet për ministrat e rinj nga BESA dhe PDSH-ja do t’i sigurojë Zaevi i cili do të heq dorë nga një ministri, ndërsa kabinetin e tij do të zgjeroj edhe me një post, atë të zëvendës kryeministrit për reforma./INA

Loading...