Zaev: Kurrë nuk kemi qenë më afër një zgjidhjeje me Greqinë

Shpërndaje

Admir Fazlagikj/AA
SHKUP (AA) – Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, bashkë me ministrat qeveritar, mbajti një konferencë për mediat që korrespondon me përvjetorin e parë të punës, në të cilën tha se qeveria ka bërë përpjekje për ta bërë Maqedoninë një vend për të gjithë qytetarët e saj, raporton Anadolu Agency (AA).

Në adresimin e tij para gazetarëve, Zaev tha se tashmë Maqedonia është një vend i hapur, i drejtë dhe i qëndrueshëm, e mbështetur në shtyllat për rritje ekonomike, për reforma me institucione që janë në shërbim të qytetarit, bashkë me përkushtimin për një shoqëri për të gjithë, me interesa strategjike që janë anëtarësimi në NATO dhe BE.

Kryeministri Zaev theksoi se përpjekje për reforma janë bërë në të gjitha fushat, dhe në këtë kontekst u shpreh se janë rritur pagat, me çka tash 90.000 të punësuar marrin pagë më të lartë, ndërsa paga mesatare tani është më e lartë për 5.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Zaev në fjalimin e tij, përmendi ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili siç tha, do të zgjerojë përdorimin e gjuhës zyrtare të cilën e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve, që është në përputhje me kushtetutën, në mënyrë që qytetarët të mund të komunikojnë me institucionet në gjuhën e tyre amtare, duke përmbushur të drejtat që u takojnë me kushtetutë.

Për përkushtimet strategjike të vendit, siç janë anëtarësimi në NATO dhe BE, Zaev tha se vendi hapëron drejt krijimit të një vend të drejtë dhe të fortë ekonomikisht, duke përmendur zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë vazhdon bisedimet me qeverinë e Republikës së Greqisë, dhe kurrë nuk kemi qenë më afër një zgjidhjeje, ndërkohë që miqësia mes dy shteteve dhe mes dy popujve, asnjëherë nuk ka qenë më e madhe. Gjuha maqedonase është konfirmuar, është konfirmuar edhe identiteti ynë maqedonas. Kjo çështje nuk është aspak e lehtë, megjithatë Maqedonia ka nevojë për lidership për të hapëruar para, jo për fjalë boshe”, tha Zaev, duke paralajmëruar një referendum për këtë çështje.

“Të gjithë e dinë se pas zgjidhjes së çështjes së emrit, Maqedonia bëhet anëtare e NATO-s. Po zgjidhim një çështje 25 vjeçare e cila vendin e çonte prapa. Më në fund filluam të ecim përpara. Sot Maqedonia është mike e të gjithë pesë fqinjëve të saj. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së miqësisë me Bullgarinë, tregtia midis dy vendeve u rrit me 11.5 për qind. Ky është një konfirmim se rajoni nuk guxon t’i lelojë vetes kthim prapa”, tha Zaev.

I pyetur për zgjidhjen e çështjes së emrit, kryeministri tha se ende nuk është konfirmuar zgjidhja, sepse vetëm janë dakorduar parimet nga aspekti formal i marrëveshjes.

Zaev informoi se sot ose nesër do të bashkëbisedojë përmes telefonit me kryeministrin grek Cipras, duke shpresuar në hapërim pozitiv lidhur me çështjen e emrit ndërkohë që paralajmëroi ratifikim të marrëveshjes eventuale në Kuvendin e Maqedonisë para referendumit, në mënyrë që Greqia të mund të dërgojë letër në NATO, pas çka Maqedonia mund të marrë ftesë për anëtarësim.

Loading...