Zëri i ndërgjegjes është zëri i Zotit

Shpërndaje

Nga Abdulla Mehmeti

(Apel për fillimin e muajit të bekuar të Ramazanit)

Miqtë e mi,

ju që i gëzoheni bashkë me mua ardhjes së muajit të bekuar të Ramazanit,

– nëse fqinjët tuaj dhe të afërmit nuk kanë bukë të shtrojnë në sofër dhe ju nuk i keni ndihmuar;

– nëse të afërmit tuaj, fqinjët dhe ata që i njihni, nuk kanë strehë mbi kokë për fëmijtë e tyre dhe ju nuk i keni ndihmuar;

– nëse nuk u keni ndihmuar të sëmurëve, të pafuqishmëve, nevojtarëve, jetimëve, të pamundurve, njerëzve me të meta dhe në nevojë për sigurimin e ekzistencës;

– nëse i gëzoheni vetëm sofrës tuaj të begatshme me haje dhe pije, ndërsa të afërmit tuaj agjërojnë me bukë thatë, të uritur dhe të etur;

– nëse nuk u jeni shmangur veseve të liga, tradhtisë, krimit, vjedhjes, dhunës, kurvërisë, sundimit të egër dhe të paligjshëm mbi njerëzit;

– nëse pasurisë që posedoni nuk ia keni dhënë hakun (zekatin) sipas parimeve islame, mos rrini kot të uritur se ky agjërim nuk u pranohet, mund t’u shkojë kot.

Zoti nuk i fal gabimet e qëllimshme, mos u mashtrojnë disa hoxhallarë të paditur, të cilët as thirrjen e ezanit, as faljen e namazit, as xhenazen nuk ua lajnë pa pagesë, pavarësisht nga gjendja e juaj sociale.

Besimtari, së pari duhet të pastrohet nga mëkatet eventuale, pastaj mund të jetë besimtar i vërtetë dhe i devotshëm, t’i pranohen lutjet dhe sakrifica.

Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit, atyre që i kanë kryer obligimet sipas parimeve islame, Kur’anit të madhërishëm dhe urdhërave të Allahut xh.sh! Amin!

Loading...