Bexheti: Të ndiqen modelet e shteteve të BE-së, për parandalimin e dezinformatave
Zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët z. Flakron Bexheti, mori pjesë në debatin e organizuar nga USAID me temë: “Ballafaqimi me dezinformatat, qasja e kombinuar, e qeverisë, sektorit civil, mediave si dhe partive politike për zgjidhje afatgjate” e mbajtur më datë 19.06.2018 në Veles.
Flakron Bexheti, ishte në cilësinë e panelistit në këtë debat, duke dhënë pikëpamjet e tij dhe të subjektit politik Aleanca për Shqiptarët, duke folur mbi dezinformatat dhe lajmet e rreme, të cilat shpeshherë shtrembërojnë edhe realitetin politik. Zëdhënësi Bexheti, paraqiti shembuj konkret se si media të caktuara, gazetar të ndryshëm nëpërmjet portaleve dhe nëpër rrjetet sociale kanë shpërndare dezinformata në momente të caktuara, siç ka qenë rasti me Deklaratën e Përbashkët të partive Shqiptare, që disa media e quajtën Platforma e Tiranës, duke plasuar shumë dezinformata rreth përmbajtjes së asaj deklarate.
Rast tjetër Bexheti përmendi edhe për Ligjin e Gjuhës shqipe, rreth të cilit ligj u shpërndarë dezinformata të ndryshme, kinse ligji është në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit.
Zëdhënësi Bexheti tha se këto dezinformata politike shpeshherë janë plasuar nga parti politike të cilët kanë pasur për qëllim ta pengojnë demokratizimin e shoqërisë dhe implementimin e Marrëveshjes se Ohrit. Këto dezinformata te ndryshme kulmuan me 27 Prill ku edhe u sulmua Kuvendi dhe deputetët, me ç’rast më keq e pësoi lideri i ASH-së Ziadin Sela i cili u linçua për vdekje nga protestues të dhunshëm që sulmuan Kuvendin e RM-së.
Flakron Bexheti gjithashtu theksoi se duhet përgatitur një strategji të koordinuar mes partive politike, qeverisë, mediave, sektorit civil për parandalimin e dezinformatave dhe lajmeve të rreme, duke përdor shembuj konkret se si është rregulluar kjo çështje në vendet e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve.