Biseda telefonike e shumë pritur Zaev-Cipras, pa asnjë epilog

Shpërndaje

Biseda e shumë-përfolur telefonike mes kryeministrave, Zaev e Cipras nuk solli epilogun që pritej, të paktën jo deri në bisedën e radhës telefonike të caktuar për të martën. Ndonëse ishte paralajmëruar se pas bisedës telefonike opinioni përfundimisht do të merrte vesh nëse negociatat për çështjen e emrit ishin të suksesshme ose jo, dy Qeveritë pa dhënë më shumë detaje, kumtuan se pas bisedës së sotme të mirë do të ketë edhe një bisedë të fundit nesër.

 Qeveria e RM-së
“Biseda u realizua mes orës 14 dhe 15. Gjatë bisedës u diskutua për çështjet e mbetura dhe u shqyrtuan disa ide për zgjidhje. Gjatë mëngjesit të nesërm do të vijojë edhe një bisedë telefonike”

Më herët gjatë ditës, edhe Zoran Zaev tha se ndodhemi në momentet e fundit.

Besoj se bëhet fjalë për momentet e fundit rreth përpjekjeve për t’i afruar qëndrimet, ashtu që shpresoj se do ta publikojmë reciprokisht, njëkohësisht lajmin e gëzuar edhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë edhe për qytetarët e Greqisë se kemi marrëveshje mes Maqedonisë dhe Greqisë. Gjithsesi ajo do të ishte marrëveshje mes Kryetarëve të Qeverive dhe ministrave. Menjëherë kalojmë në sqarimin e saj me Presidentin e shtetit, shefin e opozitës, liderët tjerë të partive politike dhe qytetarët – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Zaev shprehu ndër tjerash optimizëm se pas institucioneve edhe qytetarët në referendum do ta mbështesin marrëveshjen eventuale. Ndërsa hodhi poshtë zërat se udhëtimi i tij dhe Dimitrovit në Gjermani më 13 qershor, ka për qëllim informimin e krerëve të lartë të shtetit gjerman për emrin. Ai tha se bisedimet për këtë çështje janë dypalëshe, por se mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare është shumë e rëndësishme në proces. Agjencia e lajmeve Makfaks raporton se telefonatës mes kryeministrave i ka hapur rrugë, biseda progresive në fundjavë mes këshilltarëve të dy palëve./Alsat-M

Loading...