Çështja e emrit, zbulohen detaje nga marrëveshja që pritet ta nënshkruajnë Zaev dhe Cipras
Kryetari i Grekëve të Pavarur dhe ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Panos Kamenos, tha se nuk do të përkrahë marrëveshje që do të përmbajë termin Maqedoni, por se kjo nuk do të vë në rrezik koalicionin qeverisës. Ai shtoi se mund të kalojë pothuajse një vit, para se marrëveshja eventuale që do të arrijnë dy kryeministrat të ratifikohet në Kuvendin e Greqisë, për shkak referendumit që do të organizohet në Maqedoni. Po ashtu ai ka paralajmëruar anëtarët e partisë së tij, se “çdokush i cili nuk do të ndjek pozicionin e partisë për çështjen e emrit, do të jetë automatikisht i përjashtuar nga partia”.
Panos Kamenos, Grekët e Pavarur
“Në Kuvend, partitë do të marrin qëndrim dhe pozicioni ynë do të jetë negativ, ndërsa për herë të parë do të parashtroj pyetje për dëgjueshmëri partiake. Ai i cili do të ketë pozicion të ndryshëm do të fshihet dhe nuk do të jetë kandidat në zgjedhjet e ardhshme. Ai që mendon të ndryshoj qëndrim, të largohet tani nga partia”.
Në lidhje me kushtet e marrëveshjes, Kamenos nuk i ka shpalosur ato por ka thënë se janë mjaft të fuqishme dhe se partia e tij do ta përkrahte nëse nuk do të ishte i përfshirë emri “Maqedoni”. Ndërkohë, mediat greke kanë publikuar disa detaje nga marrëveshja, që sipas tyre kanë arritur kryeministrat e dyja shteteve. Sipas tyre, Republika e Maqedonisë së Veriut (Republic of North Macedonia) është emri për përdorim të përgjithshëm që e kanë dakorduar dy kryeministrat. Marrëveshje e publikuar në këto media, mes tjerash parashikon edhe ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë.
Tabelë:
“Dy çështjet kyçe për palën e Maqedonisë në bisedimet, përdorimi i mbiemrave ‘makedonski’ para shtetësisë dhe gjuhës mbrohet dhe garantohet.
Nga Kushtetuta e Maqedonisë, duhet të hiqet neni i cili parashikon kujdesen për “pakicën maqedonase”, jashtë kufijve të shtetit.
Komisioni i posaçëm duhet të dakordoj përdorimin e pullave tregtare nga ana e dy shteteve.
Pranohet gjuha maqedonase me fusnotë se bëhet fjalë për gjuhë sllave
Në lidhje me shtetësinë do të shfrytëzohet termi Makedonsko/ qytetar i Republikës veriore të Maqedonisë, me theks se ata qytetarë nuk kanë lidhje me Greqinë antike”.
Në shtypin grek paralajmërohen edhe hapat që do të duhet të dakordohen pasi të arrihet marrëveshja mes Zaevit dhe Ciprasit. Së pari, marrëveshja duhet të ratifikohet në kuvendin e Maqedonisë. Nëse presidenti Ivanov refuzon ta nënshkruaj, diçka që pritet të ndodhë, atëherë, menjëherë duhet të pasojë votimi i dytë. Qeveria greke me letër do të njoftojë NATO-n dhe BE-në se inkurajon fillim të bisedimeve me BE-në dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në Aleancën, pasi të ndodhin ndryshimet Kushtetuese. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev me letër do t’i informoj 190 vendet anëtare të OKB-së, se vendi në të ardhmen do ta shfrytëzojë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut në marrëdhëniet bilaterale dhe në forumet ndërkombëtare./SHENJA/