DETAJET: Çfarë parashikon marrëveshja historike Trump-Kim Jong Un

Shpërndaje

Foto Reuters

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong un, kanë zhvilluar takimin historik në Singapor. Disa muaj më parë, dy liderët replikonin në distancë në lidhje me madhësinë e butonit të armëve bërthamore që kishin në tryezën e punës. Por muajt e fundit, tonet u zbutën duke i lënë vendin një marrëveshjeje që konsiderohet si historike mes Shtëpisë së Bardhë dhe vendit të izoluar.

Të dy palët dolën të kënaqur nga takimi, i cili sipas presidentit Trump do t’i hapë rrugë një ndryshimi të madh. Po çfarë parashikon marrëveshja e firmosur nga Trump dhe Kim Jong un? Ky është teksti i plotë i dokumentit të firmosur nga dy palët.

Deklaratë e përbashkët e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, dhe kryetarit të Republikës Popullore Demokratike të Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Presidenti Donald Trump i SHBA-ve dhe kryetari i Komisionit të Çështjeve Shtetërore në Republikën Popullore Demokratike të Koresë së Veriut (RPDK) mbajtën takimin e parë historik në Singapor, më 12 qershor 2018.

Presidenti Trump dhe kryetari Kim Jong Un shkëmbyen opinione të sinqerta në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me vendosjen e marrëdhënieve të reja mes SHBA- RPDK dhe ndërtimin e një regjimi paqeje të qëndrueshme në gadishullin korean. Presidenti Trump angazhohet për të ofruar garanci të sigurisë ndaj DPRK, ndërsa dhe kryetari Kim Jong Un riafirmoi angazhimin e tij të palëkundur për të përfunduar denuklearizimin e gadishullit korean.

Të bindur se vendosja e marrëdhënieve të reja SHBA- RPDK do të kontribuojë për paqen dhe prosperitetin e Gadishullit Korean dhe të botës, dhe duke pranuar se ndërtimi i besimit të ndërsjellë mund të nxisë denuklearizimin e Gadishullit Korean, Presidenti Trump dhe kryetari Kim Jong Un deklaruan:

1. Shtetet e Bashkuara dhe RPDK -ja angazhohen të krijojnë marrëdhënie të reja SHBA- RPDK në përputhje me dëshirën e popujve të të dy vendeve për paqe dhe prosperitet.

2. Shtetet e Bashkuara dhe RPDK do t’i bashkohen përpjekjeve të tyre për të ndërtuar një regjim të paqeje në gadishullin korean.

3. Duke riafirmuar Deklaratën e firmosur në Panmunjom më 27 prill 2018, RPDK -ja angazhohet të punojë për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean.

Shtetet e Bashkuara dhe DPRK-ja angazhohen të rikthejnë POW/MIA, duke përfshirë riatdhesimin e menjëhershëm të atyre që tashmë janë identifikuar.

Duke pranuar se samiti i SHBA- RPDK -së – i pari në histori – ishte një ngjarje epokale me rëndësi të madhe në kapërcimin e disa dekadave tensione dhe armiqësi ndërmjet dy vendeve dhe për hapjen e një të ardhmeje të re, Presidenti Trump dhe kryetari Kim Jong Un angazhohen për të zbatuar çfarë parashikohet në këtë deklaratë të përbashkët plotësisht dhe në mënyrë të shpejtë. Shtetet e Bashkuara dhe DPRK angazhohen të mbajnë negociata të vazhdueshme, të udhëhequra nga sekretari i Shtetit i SHBA, Mike Pompeo, dhe një zyrtar i nivelit të lartë të RPDK -së, në datën më të hershme të mundshme, për të zbatuar rezultatet e samitit të SHBA- RPDK.

Presidenti Donald J. Trump i Shteteve të Bashkuara dhe kryetari Kim Jong Un i Komisionit të Çështjeve të Shtetit të Republikës Popullore Demokratike të Koresë, zotohen të bashkëpunojnë për zhvillimin e marrëdhënieve të reja SHBA-DPRK dhe për promovimin e paqes, prosperitetit dhe sigurisë të Gadishullit Korean dhe të botës.

Foto Getty Image

Loading...