Donald Trump arrin në Singapor për samitin historik me Kim Jong-un (VIDEO)

Shpërndaje

Gjatë paradites në Singapor zbarkoi lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un, ndërsa mbrëmja i është rezervuar ardhjes së Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump.

Të dy liderët, që do të zhvillojnë një takim historik të martën më 12 qershor ndodhen tashmë në shtetin ishullor. Trump u ul në Paya Lebar Airbase në bordin e avionit presidencial Air Force One, pasi braktisi në mes punimet e samitit të G7 në Kanada.

Në një postim në Tëitter gjatë fluturimit të tij, Trump kishte përsëritur optimizmin e tij se samiti me udhëheqësin e Koresë së Veriut do të jetë një sukses.

“Unë jam rrugës për në Singapor, ku kemi një shans për të arritur një rezultat vërtet të mrekullueshëm për Korenë e Veriut dhe Botën. Me siguri do të jetë një ditë emocionuese dhe unë e di që Kim Jong-un do të punojë shumë për të bërë diçka që rrallë është realizuar më parë … Të krijojë paqe dhe begati të madhe për tokën e tij. Pres me padurim ta takoj atë dhe të kem një ndjenjë se kjo mundësi nuk do të humbet! ”

Por të gjithë e dinë se misioni i Presidentit amerikan është ndër më të vështirët në histori, pasi ai do të përpiqet të sigurojë denuklearizimin e Koresë nëpërmjet bisedimeve dhe jo luftës.

“Unë jam në një mision paqeje dhe në ankth do të jenë zemrat e miliona njerëzve. Ne duhet të arrijmë denuklearizimin”, ka theksuar Trump.

Takimi mes Kim dhe Trump do të shënojë një kthesë të marrëdhënieve midis dy udhëheqësve pas një shkëmbimi të gjatë kërcënimesh dhe ofendimesh plot tension.

Më shumë se 2.500 gazetarë janë në Singapor për të mbuluar ngjarjen. Kim pritet të qëndrojë në hotelin St. Regis dhe Trump në Shangri-La.(gazeta-Shqip.com)

Loading...