Emri, Cipras në pritje të telefonatës së Zaevit

Shpërndaje

Shkupi e Athina në pritje të telefonatës mes kryeministrave, Zoran Zaev e Aleksis Cipras për çështjen e emrit. Ashtu siç ishte paralajmëruar, pritet që gjatë ditës Zaev e Cipras përfundimisht të vendosin për çështjet më të vështira rreth problemit shumëvjeçar. Ndërkohë Presidenti, Gjorge Ivanov kërkon nga Zaev t’ia dorëzojë draft marrëveshjen dhe përsërit se e kundërshton cilëndo zgjidhje që përfshin “erga omnes”.

Në mungesë të dokumenteve kyçe, por me qëllim të sigurimit të konsensusit të gjerë për çështjen e emrit, Presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov e inkurajon Kryetarin e Qeverisë së RM-së Zoran Zaev t’ia dorëzojë propozimin për udhëheqjen e negociatave me bazë kushtetuese, draftin e marrëveshjes si dhe qëndrimet e delegacionit në udhëheqjen e negociatave – deklaroi President Gjorge Ivanov.

Nga ana tjetër, Zëdhënësi i Qeverisë greke, Canakopulos theksoi se është koha të merren vendimet përfundimtare politike. Ai siguroi se nuk do të ketë marrëveshje pa erga omnes dhe ndryshime kushtetuese.

Duhet të sillen vendimet përfundimtare politike, sepse nuk bëhet fjalë për marrëveshje të thjeshtë, por marrëveshje me shumë çështje teknike, juridike dhe politike të cilat secila palë duhet t’i shqyrtojë mirë dhe me vëmendje. Në këtë moment nuk ekziston marrëveshje. Kur të ketë marrëveshje do ta publikojmë, do t’i informojmë liderët politik dhe popullin grek – deklaroi Dimitris Canakopulos, Zëdhënës i Qeverisë së Greqisë.

Kreu i Kuvendit grek, Nikos Vucis tha se është pozitive që palët janë afruar drejt zgjidhjes së përhershme. Gjithsesi theksoi se marrëveshja eventuale do të ratifikohet në Kuvendin grek pasi pala tjetër t’i përmbush të gjitha detyrimet.

Sinqerisht, pasi do të jetë ratifikim i një marrëveshjeje që do të ketë aspekte dhe garanci ndërkombëtare, do të vijë deri në shkallën përfundimtare të traktatit. Kjo do të ndodhë sapo të gjitha parakushtet të përmbushen e që do të thotë se marrëveshja do të shkojë për ratifikim në Kuvend me të gjitha kushtet plotësisht të aplikuara – tha  Nikos Vucis, Kryetar i Parlamentit të Greqisë.

Ndërkohë SHBA-të inkurajojnë palët të gjejnë zgjidhje. Nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase kanë thënë:

Shpresojmë që liderët e Maqedonisë dhe Greqisë të gjejnë zgjidhje të përbashkët të pranueshme për problemin rreth emrit, që do të jetë në interes të integrimit euro-atlantik, prosperitetit ekonomik, paqes dhe stabilitetit në rajon – thuhet në kumtesë.

Jozyrtarisht, palët kanë afruar qëndrimet për propozimin “Maqedonia Veriore” dhe nëse telefonata mes kryeministrave është e suksesshme marrëveshja do të nënshkruhet në Prespë ditëve në vijim ose kah mesi i muajit , por gjithsesi para Samitit të BE-së më 28 dhe 29 qershor./Alsat-M

Loading...