Maqedoni

Emri i ri dhe momenti i horizonteve europiane

Shpërndaje

Shqiptarët pa diskutim duhet të jenë protagonistë të këtij vizioni dhe të këtij orientimi, duke afirmuar qenësinë e tyre europiane dhe duke afirmuar pandërprerë idenë për barabarësi të plotë në shtet.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Më në fund i është dhënë zgjidhje kontestit disavjeçar mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit. Tashmë ka një marrëveshje mes dy shteteve, ndërkohë që është bërë e ditur se emri i ri shtetit do të jetë: Republika e Maqedonisë Veriore.

Pas aq shumë bllokimesh paraprake, pas lojërave të pafundme përgjatë këtyre 25 vjetëve, një kompromis për emrin dhe gjithë atë që nëkupton si paketë në këtë ndryshim, po hapë një horizont të ri europian për Maqedoninë, tashmë të pagëzuar si veriore.

Kanë qenë dy kryeministrat, Cipras dhe Zaev që brenda kohës kanë dëshmuar një protagonizëm pozitiv për t’i dhënë fund kësaj “golgote”, e cila sidomos në dhjetë vitet e fundit u bë akoma më fatale për shkak të një tendence për të instaluar politika shtetërore, të cilat e ngatërronin dhe gati e pamundësonin një zgjidhje të mundshme.

Pikërisht këto politika të deplasuara që improvizonin një kundërvënie “antike” të Maqedonisë karshi Greqisë e bënin gati të pamundshme zgjidhjen si një mundësi për të dalë nga një getoizim gjeopolitikë ndikimesh që ishin në kundërshtim me projeksionet e bashkësisë ndërkombëtare.

Pikërisht ky koncept ideologjik i ushqyer me madhështi të shpikur dhe me ndërlidhje fijesh kishte krijuar një ambient refuzimi dhe kundërthënie të pafundme për të qenë në sinkron me interesimet e bashkësisë ndërkombëtare, e cila me kohë kishte investuar për zhvillimin dhe vendosjen e Maqedonisë në koordinatat e planimetrisë euro-atlantike.

Tashmë dihej se pa ndërrmin e emrit Maqedonia nuk do të mund të bëhej pjesë e mekanizmave euro-atlantikë për shkak të vetos së fortë të Greqisë.
Sigurisht insistimi në këtë histeri ideologjike ishte një justifikim për ta mbajtur Maqedoninë jashtë këtyre zhvillimeve gjeo-politike si një “parajsë” politikikash dhe elitash të koruptuara.

Një tendencë, që përkundër orientimit të shumicës së qytetarëve për hapërim drejt NATO-së dhe BE, promovonte politika konfliktuoze thellësisht anakronike në raport me brishtësinë e ekzistëncës së shtetit.

Sidoqoftë kjo fazë duket se tashmë ka marrë fund dhe përpara zhvillimeve politike ndodhet një horizont i ri që i jep mundësi Maqedonisë të “notojë” ngeshëm në “ujërat” me të qetë të integrimeve europiane. Ky momentum kompromis në asnjë rast nuk do të ishte i mundshëm pa impenjimin e madh të miqve perendimorë, të cilët me kohë kishin investuar në krijimin e një hapësire zgjidhjeje, të një kompromisi që do të zhbllokonte proceset integruese si një moment jetik për një kurs të ri, për një përfshirje në gjithë atë që nënkupton paradigma e integrimeve europiane.

Kjo zgjidhje, në një farë mënyre iu jep fund ndikimeve tjera të turbullta gjeostrategjike, të cilat e zhvendosnin Maqedoninë një një terren gjeostrategjik të panjohur dhe me njëmijë pikëpyetje.

Zgjidhja e çështjes së emrit duhet kuptuar pikërisht në këto koordinata orientuese, në frymën e këtyre përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për ta dekonstruktuar gjithë narracionin getoizues që po injektohej nga ideologji që dëshironin ta mbajnë peng të ardhmen e qytetarëve në intereset e tyre të pashpjeguara deri në fund.

Tashmë Maqedonia e pagëzuar si veriore po futet në një kontekst të ri europian dhe kjo rrugë mbetet jetike për të gjithë qytetarët në shtet. Kjo është rruga e integrimeve europiane, e një paradigme tjetër që ofron perspektivë për të gjithë në sinkron me vlerat me sublime të promovuara nga koncepti i funskionimit të Europës.

Sigurisht, dinamikat politike në këtë frymë në asnjë rast nuk do të ndalen, por mbetet e rëndësishme që po i jepet fund një epoke pasigurie, errësimi dhe subversion të padukshëm që në çdo kohë projektonte narracione në kundërshtim me praktikat më të mira europiane. Maqedona me gjasë do të futet në një kualitet të ri të funksionimit të shtetit multietnik, njashtu siç kuptohet dhe promovohet nga BE.

Shqiptarët pa diskutim duhet të jenë protagonistë të këtij vizioni dhe të këtij orientimi, duke afirmuar qenësinë e tyre europiane dhe duke afirmuar pandërprerë idenë për barabarësi të plotë në shtet.

Në këto momente dhe përgjatë gjithë procesit të implementimit të kësaj marrëveshje ata duhet të jenë në sinkron me projeksionet e bashkësisë ndërkombëtare, që do të thotë edhe pro referendumit për ndryshimin e emrit që pritet të mbahet në vjeshtë.

Me këtë sigurohet një e ardhme europiane për të gjithë, për shqiptarët aq më tepër që gjithnjë kanë gjakuar ta ripohojnë qenësinë e vetë në gjeografinë dhe sistemin e vlerave europiane. /KDPolitik.com/

Loading...