Historike, Trump shtrëngon duart me Kimg Jong Un-in, firmoset marrëveshja (VIDEO)
Takimi i shumëpritur u bë realitet. Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai i Koresë së Veriut Kim Jong Un shtrënguan duart në orët e para të mëngjesit të sotëm në Singapor, në takimin historik ku është përqendruar mbarë vëmendja e botës.
Dy presidentët u panë të uleshin në tryezë në orarin e paracaktuar në axhendë, dhe mandej nuk nguruan të shtrëngojnë duart me njëri-tjetrit, pak para nisjes së bisedimeve. Takimi ndodhi në mjedisin prej 12 hektarësh të hotelit luksoz Capella në ishullin Sentosa. Në Singapor ishte ora 09:03, ndërsa në Europë ishte 03:03 e natës.
Nën shkrepjet e dhjetëra kamerave, dy udhëheqësit u takuan përpara një sfondi me flamurë amerikanë dhe koreano-veriorë, dhe më pas u ulën në një sallon të hotelit luksoz Capella.
Deklaratat e Trump dhe Kim para takimit
Trump: “Z. Kim, është një nder i madh të jem me ju këtu dhe unë e di se do të kemi sukses të jashtëzakonshëm së bashku; ne do të zgjidhim problemin tonë të madh, dilemën tonë të madhe, që deri në këtë moment nuk ka qenë e mundur të zgjidhet. Duke punuar së bashku, ne do ta zgjidhim atë. Është një nder i madh. Faleminderit shumë!”
Jong Un: “Do të ketë sfida përpara, por ne do të punojmë me Trumpin. Kemi mposhtur të gjitha llojet e skepticizmit dhe spekulimeve për këtë samit dhe besoj se kjo është diçka e mirë për paqen”.
Jong Un: “Ne tejkaluam me guxim të kaluarën, e cila na mbante mbrapa dhe u ulëm bashkë; mendoj se ky është një prelud i paqes”.
Trump: “Ne do ta zgjidhim, do të jemi të suksesshëm dhe mezi pres që të punoj me ju. Do të bëhet; ju faleminderit shumë!”
Detaje nga bisedimet
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se “bisedimet për çarmatosjen bërthamore të Gadishullit Korean do të jenë një sukses i jashtëzakonshëm”.
I pyetur nëse udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka rënë dakord për nisjen e çarmatosjes bërthamore Trump u shpreh: “Do ta nisim këtë proces shumë shpejt, shumë shumë shpejt, absolutisht”. Bisedimet zhvillohen kokë më kokë me praninë vetëm të përkthyesve.
Presidenti amerikan dhe ai koreano-verior nënshkruan një marrëveshje të përbashkët, ndonëse detajet e sakta janë ende të panjohura. “Po nënshkruajmë një dokument tejet të rëndësishëm, dhe mjaft të plotë”, u tha Trump gazetarëve. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se detajet do të zbardhen publikisht në një konferencë për media që do të mbahet pas takimit.
Ndërkaq, lideri i vendit më të izoluar në botë, Kim Jong Un tha se dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij për presidentin Trump që e bëri takimin të mundur. “Patëm një takim historik dhe kemi vendosur të lëmë pas të kaluarën e jemi gati të nënshkruajmë dokumentin historik”, tha Kim përmes përkthyesit të tij.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të hënën në Singapor se nuk do të ketë një përsëritje të “marrëveshjeve të paqendrueshme” të arritura mes administratave të mëparshme amerikane dhe Koresë së Veriut.
Pas samitit, dy udhëheqësit do të kenë një drekë pune dhe një takim dy-palësh më të zgjeruar, ku do të jetë të pranishëm Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly dhe Këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton.
5000 gazetarë, mes të cilëve një grup i vogël reporterësh amerikanë dhe koreanoverior u lejuan të ndjekin momentin kur të dy udhëheqësit përshëndetën njëri-tjetrin.
Takimi i nivelit të lartë në Singapor është i pari mes një presidenti në detyrë dhe një udhëheqësi të Koresë së Veriut.