Kaloi 9 qershori për zgjidhjen e emrit, Zaevi në ‘qorrsokak’

Shpërndaje

Ka kaluar 9 qershori e përcaktuar si datë kur duhej të ndodhte telefonata apo takimi i paralajmëruar midis kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras për finalizimin e negociatave për emrin dhe arritjen e marrëveshjes, informon INA.

Në tryezë ishin tre propozime: Maqedonia Veriore, E Epërme apo edhe ajo e Vardarit. Sipas informacioneve të lansuara në mediat greke dhe ato të Shkupit, ajo që zvarriti marrëveshjen ishin detajet rreth emërtimit të gjuhës, përdorimit erga omnes dhe pjesë tjera të marrëveshjes.

A kanë dështuar bisedimet?, ishte pyetja që gazetarët i drejtuan kryeministrit. Po ky i fundit tha se për çështje serioze nuk flet në prezencë të fëmijëve.

“E dini. Kur jam me fëmijë nuk jap deklarata. Ju lutem”, deklaroi dje kryeministri Zoran Zaev.

Qeveria sot iu përgjigj spekulimeve për dështimin e negociatave të cilat morën hovë një ditë më parë. Duke arsyetuar vonesat, organi ekzekutiv kumton se rëndësi ka produkti final që do të dalë nga marrëveshja.

“Në këto momente kaq të rëndësishme, spekulimet nuk mund të kontribuojnë aspak në këtë qëllim me interes kombëtar. Qeveria mbetet fuqishëm e përkushtuar në realizimin e qëllimeve strategjike, anëtarësimin në BE dhe NATO dhe kuptohet që për realizimin e tyre është e domosdoshme të kalohet problemi që Greqia ka me emrin tonë kushtetues”, thuhej në komunikatë.

Opozita nga ana tjetër hedh dyshimet se palët janë marrë vesh që si opsion të kenë edhe zvarritjen e marrëveshjes për disa muaj.

Mediat greke shkruajnë se Nikola Dimitrov ka filluar të punojë kokë më vete, gjë që ka shkaktuar ndarje brenda qeverisë së Maqedonisë.

“Dhe telefoni nuk ra…” Kjo është kënga që orëve të fundit po dëgjohet në qeverinë greke, në pritje të Zoran Zaevit për të bërë lëvizjen dhe të caktojë takimin për marrëveshje në Prespë. Informacionet thonë se brenda qeverisë së Shkupit ka një ndarje me Dimitrovin i cili vazhdon të luajë lojëra personale, thanë nga Gazeta TA NEA.

Gazeta “Katimerini” shkruan se përfundimi i bisedimeve ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë ka ngecur në interpretimin e dokumenteve juridike, por jo në principet e marrëveshjes. Sipas gazetës pritet që Zaev dhe Dimitrov në 24 orët në vazhdim të japin një fjalë.

“Pas dallimeve të dukshme mes Kryeministrit Zaev dhe Ministrit për Punë të Jashtme Dimitrov, si pengesë në proces, të dy pritet që brenda 24 orësh të japin një mesazh të mundshëm për dakordim”, u shprehën nga Gazeta Katimerini.

Loading...