Maqedoni

Marrëveshja për emrin nuk rrezikon identitetin maqedonas, por vetëm identitetin shqiptar?!

Shpërndaje

Marrëveshja për emrin nuk rrezikon identitetin maqedonas. Mediumet greke kanë publikuar një pjesë të marrëveshjes, që sipas tyre është arritur mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë.
Deputeti i BDI-së Artan Grubi i cili është mjaft i informuar me negociata për çështjen e emrit, para disa ditëve si mysafir në emisionin “Samo Vistina” në Tv Telma, theksoi se marrëveshja plotësisht garanton gjuhën dhe identitetin maqedonas, dhe duhet të pritet njëri nga propozimet e ndërmjetësuesit Nimetz, të cilat janë të pranueshme si Veriore, Epërme ose E Re ose ndonjë tjetër më kreativ.

Mirëpo, për dallim prej identitetit maqedonas, burime të Gazetës Lajm thonë se marrëveshja për emrin nëse kalon ashtu siç po prezantohet në mediumet greke, rrezikon rëndë identitetin e shqiptarëve në Maqedoni. Gjuha shqipe askund nuk përmendet në marrëveshje si gjuhë zyrtare, e as si gjuhë e 20 për qindëshit.
Një akademik shqiptar nga Tirana shpreh brengosjen e tij përmes Gazetës Lajm lidhur me marrëveshjen për emrin, që ai e konsideron të dëmshme.
“Ajo që po mbahet fshehur nga opinioni shqiptar është se emri sipas gjitha gjasave nuk do të jetë ‘Republika e Maqedonisë Veriore, por ‘Republika Severna Makedonija’. Kështu pritet të figurojë emri i ri i Maqedonisë në Kombet e Bashkuara. Me këtë vuloset karakteri sllav i vendit dhe fillon plani dhjetëvjeçar për sllavizmin e shqiptarëve të Maqedonisë. Bartësit e kij projekti, të cilët veten e quajnë ‘luftëtarë dhe veprimtarë shqiptarë’, konsiderojnë se sllavizmi i shqiptarëve do të zhvillohet me lehtësi. Ata i llogarisin shqiptarët e Maqedonisë si njerëz të nivelit të ulët, të cilët manipulohen lehtë dhe se aktin e sllavizmit të tyre do ta pranojnë si akt patriotik. Sipas këtij plani, shqiptarët që do të refuzojnë sllavizmin, do të detyrohen në mënyra të ndryshme të shpërngulen jashtë vendit. Shpresa e fundit për të parandaluar këto tendenca janë forcat e shëndosha shqiptare në Maqedoni. Mos pritni diçka nga Tirana, ose Prishtina. Për shkak të aferave të mëdha të drogës dhe bizneseve të dyshimta, Shqipëria dhe Kosova janë defaktorizuar tërësisht jo vetëm para faktorit ndërkombëtar, por edhe në nivel rajonal, prandaj nuk kanë kapacitet të bëjnë diçka pozitive për shqiptarët e Maqedonisë. Madje Tiranën dhe Prishtinë do t’i keni armiq në këtë proces, sepse do të përkrahin gjithçka që është në favor të përforcimit të konceptit sllav të Maqedonisë”, thotë ai.

“Ju shqiptarët e Maqedonisë do të jeni në pozitë mjaft të vështirë. Politikanët injorantë u sollën në situatë që anëtarësimin tuaj në NATO dhe BE, si aspiratë historike të shqiptarëve, ta realizoni duke pranuar karakterin sllav të vendit. Është pozitë mjaft e vështirë. Po t’i kishit hedhur më herët në koshin e plehrave të historisë politikanët injorantë, sot nuk do të gjendeshit para kësaj situate të pavolitshme”, theksoni akademiku në fjalë.

Loading...