Ministri i ri i Kulturës Asaf Ademi: Besoj se do t’i realizojmë detyrat me sukses

Shpërndaje

Asaf Ademi nga radhët e Lëvizjes Besa edhe zyrtarisht mori postin e ministrit të Kulturës. I pyetur për projektet shqiptare të cilat për vite me radhë shënojnë ngecje dhe s’po gjejnë zbatim, siç është rasti me Teatrin shqiptar në Shkup apo Bibliotekën e Tetovës, Ademi nuk deshi të komentojë, por kërkoi kohë që të informohet mbi arsyet e ngecjeve të këtyre projekteve.

Nga dita e sotme unë i marr detyrat komplete në ministri. Do të bëjmë analizë, e kemi qëllimin dhe vizionin tonë dhe besoj se do t’i realizojmë detyrat ashtu siç duhet. Pikë së pari ta marr detyrën ashtu siç duhet të bisedojë me udhëheqësit e sektorëve me sekretarin shtetëror, këshilltarin dhe të shohim si do të vijojnë punët -tha Asaf Ademi, ministër i Kulturës.

Tanimë ish ministri i Kulturës Robert Allagjozoski gjatë pranim dorëzimit të postit shfaqi bindjen se pasardhësi i tij do të vazhdoj me realizimin e programit të këtij dikasteri.

Ne presim të kemi politika në kontinuitet. Për ndryshe strategjia e sjellë për zhvillimin e Kulturës është pjesë e politikave qeveritare dhe ajo po implementohet plotësisht. Ndodhemi në gjysmë të një procesi reformues ku e presim marrëveshjen e re kolektive për të punësuarit në Kulturë, kemi dhe koncept të gatshëm për Ligjin e ri për Kulturë. Presim që me të njëjtën dinamikë puna do të vazhdojë me qëllim që qytetarët dhe punonjësit e Kulturës të kenë një sistem bashkëkohor – deklaroi Robert Allagjozovski, ministër i deritanishëm i Kulturës.

Allagjozovski largohet nga posti i ministrit për të marrë detyrën e koordinatorit nacional për zhvillimin e kulturës. Asaf Ademi me rikonstruimin e fundit të Qeverisë u bë pjesë e kabinetit të kryeministrit Zaev, ku pos Lëvizjes Besa të Afrim Gashi, bënë pjesë edhe PDSH-ja e Menduh Thaçit./Alsat-M

Loading...