Muhamedi: S’kemi lindur të vdekur që të heshtim e të mos lëvizim
IMPERATIVI KATEGORIK SHQIPTAR TASH:
KRIJIMI I KESHILLIT KOMBETAR
I SHQIPTAREVE NE MAQEDONI
Nga, Nijazi Muhamedi
—
…”Ky brez duhet që të kushtrimohet për të dalë në skenën politike për të ndërtuar dhe mbrojtur Bastijen e ardhmërisë kombëtare me protagonizmin e vet,me forcën,dijen dhe me vullnetin e vet mobilizues.Ky brez duhet të bëjë fillimin e një nisme,”pas së cilës do vijë historia”!Ky mision historiprurës i ngarkohet si sfidë këtij brezi. Ky brez duhet ta blatojë heroizmin e vet sakrifikues,veprues e mendor dhe heroizmin e vitalitetit të vet emancipues në themelet e kësaj nisme të vet historiprurëse për rimëkëmbjen e denjësisë së veprimit politik shqiptar në Maqedoni. Ne kemi besimin se ky brez është i denjë t’i përgjigjet kësaj sfide Dhe ne themi prap:kjo kohë imperativisht thirr ardhjen e tij!”
—
Kolapsi politik që ka ndodhur në përfaqësimin politik të shqiptarëve nuk mund të kapërcehet,nuk mund të përballet pa një alternativë politike të re,që vjen me thënë,pa një drejtim të ri politik kolektivisht mobilizues për ndryshime;kolektivisht të njëpërnjësuar rreth një opsioni të tërësuar politik që duhet të mobilizojë vullnetin politik të shumicës elektorale shqiptare. IMPERATIVI SHQIPTAR PËR NJË ALTERNATIVË TË RE POLITIKE, dmth. për një udhë tjetër politike në këtë situatë është kushtrimues.
Kolapsi i tanishëm ka ndodhur si mundje e zgjimit nga forca shkatërruese ndaj tij.Ky udhëkryq kolektiv tani s’ka alternativë tjetër përveç udhës së ringritjes politike kolektive. Tulatja e gjatë kolektive përballë këtij aksidenti kolektiv politik,apo dështimi në kapërcimin e këtij udhëkryqi me zgjuarësi dhe me një mobilizim politik të fuqishëm kombëtar , mund të përplaset fatalisht si kapitulim politik shqiptar që fatin e tij ia lë dallgëve të inercisë kolektive,një ligështi vepruese kolektive e jona nëpër histori e në kohën tonë; dhe këtë ligështi dinë si ta rrëmbejnë për interesat e tyre sarafët e ligshtë dhe demagogët rrënimtarë të manipulimeve politike kolektive.
Përballë këtij aksidenti kolektiv që na ka ndodhur,ne duhet të japim sprovën e qartë të stërvitjes politike që na trazon shqetësimin kombëtar të njëpërnjësueshëm për të bërë një përpjekje të re mëkëmbjeje politike,për të dhënë sprovën kombëtare se kemi forcë,dije dhe vullnet mobilizues të mëvetësishëm për të mundur këtë fatalitet të programuar në këtë konjukturë socio-politike.Sprovë faktuese e kësaj duhet të jetë ngritja e një alternative politike kombëtare,e cila fillimisht do ta gërmojë lëmën e vet,do t’i vërë piketimet e veprimit të saj në këtë rrjedhë aktuale të krizës politike në Maqedoni,që duhet ta perceptojë qartë si një oportunitet,si një rastësi e krijuar nga një dinamikë e brendshme e jetës socio-politike në Maqedoni,me një paraqitje të strukturuar fillimisht si nismëtare e një ndryshimi ,përmes një qasjeje më të lirshme,më të hapur,më grumbulluese dhe më animuese ndaj një koordinimi me aktorë të shoqërisë civile,dhe jo vetëm të saj.Paraqitja e saj në këtë kontekst të gjerë të kësaj krize duhet bërë përmes një protagonizmi shtysash të qarta demokratike që hap sheshin e vet të veprimit dhe të kontestimit për të delegjitimuar aktorët politikë që kanë përmbysur e mbrapshtuar trajektoren e emancipimit demokratik të një shoqërie përgjithësisht dhe të shoqërisë shqiptare veçmas.
Këmbana e këtij oportuniteti,e këtij rasti të ardhur për një zgjim të ri politik kombëtar po bie si jehonë përgjegjësie kombëtare në kokën tonë,në kokën e të gjithëve që kanë veshë dhe ndjesi për ta dëgjuar me shqetësim kombëtar,që kanë refleks për ta kapur oportunitetin që e buçet kjo këmbanë; që kanë vullnetin për t’i bërë asaj sakrificën e mundit,të dijes ,të angazhimit.Të shqetësuar legjitim mbi kët situatë kolapsi ku na kanë hedhur katranët e mjeranët e politikës; në këtë situate kur duhet reflektuar kombëtarisht për përballimin e saj janë të gjithë nga ne shqiptarët,sepse dihet që një kauzë kombëtare është çështje e gjithë një populli, dhe një çështje kësodore nuk mund të lihet në duart ilegjitime të konfiskuesve,të rrëmbyesve dhe të bastardhuesve politikë që i sendërgjon,që dalin të shpërfaqura nga rrethanat e një kohë që ka kaluar mbi ne,sikundër që ndodhi kjo ndër ne shqiptarët këtu.
Por,forca prijëse që duhet t’i japë nxitje,që duhet t’i japë nisje kësaj alternative,që duhet të bëhet vektori i fuqishëm i saj,historia e thërret që kjo të jetë brezi i ri ,brezi i kësaj kohe; jo si brez që lidhet si i tillë përmes njëkohjësisë së datëlindjeve të tyre,që do të thotë jo si brez i thatë demografik,por si brez që ndan bashkë një vullnet të mprehtë dhe mobilizues kombëtar; që ndan një shqetësim dhe një vizion e projekt vlerash politiko-demokratike dhe emancipuese të inkarnuar në një opsion politik shqiptar.Sepse,kjo krizë,ky kolaps që na poshtëroi të djeshmen dhe të sotmen kolektive,poqe se nuk përballet, poqe se nuk kapërcehet,kërcënon fatalisht ardhmërinë e tij dhe të brezave që do vijnë.Ky brez duhet që të kushtrimohet për të dalë në skenën politike për të ndërtuar dhe mbrojtur Bastijen e ardhmërisë kombëtare me protagonizmin e vet,me forcën,dijen dhe me vullnetin e vet mobilizues.Ky brez duhet të bëjë fillimin e një nisme,”pas së cilës do vijë historia”!Ky mision historiprurës i ngarkohet si sfidë këtij brezi. Ky brez duhet ta blatojë heroizmin e vet sakrifikues,veprues e mendor dhe heroizmin e vitalitetit të vet emancipues në themelet e kësaj nisme të vet historiprurëse për rimëkëmbjen e denjësisë së veprimit politik shqiptar në Maqedoni. Ne kemi besimin se ky brez është i denjë t’i përgjigjet kësaj sfide Dhe ne themi prap:kjo kohë imperativisht thirr ardhjen e tij!
Nga, Nijazi Muhamedi