Nis zbatimi i Marrëveshjes me Greqinë

Shpërndaje

Pas firmosjes së Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për t’i dhënë fund kontestit 27-vjeçar për emrin, prej sot fillojnë hapat për implementimin e saj.

Qeveria e Maqedonisë pritet sot në seancë ta miratojë ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes, pas çfarë duhet të dërgohet në Kuvend, ku duhet të ratifikohet.

Pasi do të dërgohet në Kuvend ku deputetët duhet të votojnë dhe ta miratojnë me shumicë të thjeshtë, gjegjësisht me shumicë nga deputetët e pranishëm. Kuorumi minimal për punën e shtëpisë ligjdhënëse është 61 deputetë, që do të thotë se 31 deputetë duhet të votojnë “për”, që marrëveshjen të ratifikohet.

Pastaj pason dërgimi deri presidenti Ivanov, i cili ka afat prej shtatë ditëve ta firmosë. Nëse Ivanov e përdor të drejtën e vetos, marrëveshja sërish shkon në procedurë kuvendore, por atëherë patjetër të votohet me shumicë absolute , 61 deputetë duhet të votojnë “për”. Marrëveshja në këtë rast, sërish dërgohet deri te presidenti, i cili sipas Kushtetutës është i obliguar ta firmosë.

Zbatimi i marrëveshjes do të ndodhë në mënyrë etapore. Do të hyjë në fuqi pasi të dyja palët do ta pranojnë konform procedurave të brendshme. Por, nëse cilado qoftë nga palët nuk e pranon marrëveshja konform procedurave të brendshme kjo do të thotë se marrëveshja nuk vlen.

Për marrëveshjen, fjalën përfundimtare do ta kenë qytetarët e Maqedonisë në referendum, i cili duhet të mbahet në shtator apo tetor.

Maqedonia, sipas të dakorduarës, deri në fund të vitit do të duhet të miratojë edhe amendamente të Kushtetutës.

Me Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit të Maqedonisë dhe Greqisë për emrin dhe partneritet strategjik që dje në Prespë e nënshkruan ministrat e punëve të jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, emri zyrtar i shtetit do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut apo Maqedonia Veriore (emër i shkurtuar).

Loading...