PËR PASTËRTINË E GJUHËS SHQIPE
Nga, Abdulla Mehmeti
Përdorimi i gabuar i ndajfoljes „pranë“ në vend të parafjalës „në“
Si rezultat i mosnjohjes së rregullave drejtshkrimore dhe atyre gramatikore, shpeshherë nga pakujdesia, edhe pas kaq vitesh nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), hartimi dhe publikimi i rregullave të drejtshkrimit, çdo ditë vërejmë gabime gjatë ligjërimit dhe shkrimit të gjuhës shqipe.
Shumë fjalë dhe shprehje gjuhësore përdoren gabimisht, përveç përdorimit të tepruar dhe pa vend të fjalëve nga gjuhë të tjera, si nga folësit në jetën e përditshme edhe nga mediat e shtypura dhe elektronike, por edhe nga institucionet shkencore dhe arsimore, edhe ato të arsimit të lartë, të cilat duhet të jenë shembull i ligjërimit të pastër dhe drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Për ta sensibilizuar sadopak opinionin, më poshtë do ta paraqesim në mënyrë të shkurtë dhe të qartë formën e gabuar si përdoret ndajfolja „pranë“ në vend të parafjalës „në“.
Shembulli për ilustrimin e kësaj forme të gabuar të përdorimit të ndajfojes ,,pranë” në vend të parafjalës ,,në” është nga një dokument zyrtar i publikuar në ueb faqen zyrtare të njërit nga universitetet tona, jo me qëllim të denoncimit, sepse nga ky institucion burojnë shumë nisma për pastërtinë e gjuhës shqipe, zhvillimin dhe pasurimin e saj; nga botimet dhe studimet e të cilit si nga asnjë institucion tjetër arsimor dhe shkencor kanë marrë mësime dhe dije për gjuhën shumë gjenerata, por, si rast që paraqet pakujdesinë e individëve që përgatitin dokumenta zyrtare në institucione. Përzgjedhjen e tekstit për këtë shembull e kemi bërë që t’u shmangemi reagimeve publike nëse do të përdornim shembuj nga mediat, ose nga individë të caktuar.
Pjesë nga dokumenti:
„Universiteti …. verifikon këto dokumenta:
-Diplomë;
-Listë Notash;
-Program Mësimor;
-Vërtetime;
-Dëshmi gjuhe (pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja);
-Diplomë doktorate;
Për këtë procedurë duhet kryer një pagesë pranë Bankës…).“
Sipas përmbajtjes së këtij teksti, dëshmia nuk jepet në (nga) institucioni përkatës, por nga ndonjë vend tjetër pranë tij, kurse pagesa për këtë shërbim nuk kryhet në bankë, por diku tjetër, pranë bankës, jashtë saj.
Shembuj nga teksti i dokumentit:
Forma e gabuar: Dëshmi gjuhe (pranë Faklutetit të Gjuhëve të Huaja);
Forma e drejtë: Dëshmi për njohje të gjuhës nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja (gabimisht përdoret edhe shprehja „gjuhë e huaj“, në vend se „gjuhë joamtare“, „gjuhë ndërkombëtare“, „gjuhë botërore“, ose të shkruhet emri i gjuhës përkatëse: angleze, frënge, gjermane, italiane etj.).
Forma e gabuar: Për këtë procedurë duhet kryer një pagesë pranë Bankës … prej 50 uero.
Forma e drejtë: Për këtë procedurë duhet të kryhet një pagesë në shumë prej 50 euro në Bankën…
Shembuj të tjerë:
Forma e gabuar: Fjolla është studente pranë Fakultetit të Filologjisë.
Forma e drejtë: Fjolla është studente në Fakultetin e Filologjisë.
Forma e gabuar: Agroni është zëvendësministër pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Forma e drejtë: Agroni është zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë.
Ndajfolja ,,pranë” tregon se personi nuk i përket institucionit përkatës, por një vendi tjetër afër tij, pranë tij; ose veprimi nuk kryhet në institucionin përkatës, në vendin ku duhet të kryhet, por diku afër tij, jashtë tij, përkrah tij, ose pranë tij.
(28 qershor 2018)