Maqedoni

Policia jep detaje për vrasjen e të arratisurit Jeton Rexhepit nga Tetova (Video)

Shpërndaje

Në një aksion të policisë, mëngjesin e sotëm ka mbetur i vrarë Jeton Rexhepi, 38-vjeçar nga fshati Llërc të Tetovës. Ai është kërkuar me fletarrest vendor dhe ndërkombëtar, për të vuajtur dënimin prej 26 viteve dhe 10 muaj, për vepra të rënda penale.

Policia ka njoftuar se në katër raste kanë tentuar që ta arrestojnë 38-vjeçarin, por ka hasur në rezistencën e tij. Edhe në aksionin e fundit ai ka dhënë rezistencë, duke shtënë në drejtim të policëve, madje edhe me bombë dore.

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

“Në orët e hershme të mëngjesit në shtëpinë e J.R. në Llërcë, gjatë ndërmarrjes së masave për privimin e tij nga liria, ai ka hedhur bombë dorë në drejtim të zyrtarëve policor dhe më pas është arratisur, i veshur me jelek antiplumb, i armatosur me pushkë automatike, plumba për pushkë automatike, pistoletë e llojit TT 7.62 mm, dhe katër bomba dore. Gjatë tentimit të sërishëm për arrestimin e tij, rreth 200 metra nga shtëpia e tij, personi përsëri ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policor, ndërsa ka tentuar të hedh edhe bombë dorë, me ç’rast policët kanë reaguar dhe personi është vrarë”.

Rexhepi ka qenë i dënuar për vrasje, por ai gjithashtu akuzohej edhe për një rrëmbim gjatë viteve që ka qenë në arrati, dhe vepra tjera penale.

“Bëhet fjalë për person kundër të cilit prej viti 2000 deri vitin 2016, deri tek Prokuroria Themelore Publike Tetovë dhe Prokuroria Themelore Publike Shkup, janë ngritur gjashtë kallëzime penale për 16 vepra të rënda penale: “vrasje”, “tentim për vrasje”, “plaçkitje”, “privim i kundërligjshëm nga liria”, “mbajtje pa leje të armëve dhe material shpërthyese”, “vjedhje të rëndë”, “plaçkitje të rëndë”, “vjedhje të makinës motorike” dhe “rrahje”

Nga Prokuroria Themelore Publike kanë njoftuar se kanë kërkuar të sigurohet vendi ku ka ndodhur ngjarja për të grumbulluar prova që do të dërgohet për ekspertizë të mëtutjeshëm ndërsa është urdhëruar edhe obduksioni mbi trupin e të vrarit. Enis Murtezi /SHENJA/

Loading...