Prishtinë, familjarët e dy të rinjve të vrarë të pakënaqur me dënimin e të akuzuarit (Video)

Shpërndaje

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shpallur aktgjykimi në lidhje me vrasjen e dy të rinjve, Eron Agaj e Arianit Gashi, vrasje kjo e cila kishte ndodhur në vitin 2016 te Parku i Qytetit në Prishtinë.

Trupi gjykues në krye me gjyqtaren Shadije Gërguri ka shpallur aktgjykimin me anë të të cilit të akuzuarin Lulzim Idrizi e ka shpallur fajtor dhe të njëjtit i ka shqiptuar dënim unik me burgim prej 20 vjetësh.

Për veprën penale vrasje e rëndë i pandehuri është dënuar me 19 vjet e 6 muaj burgim, kurse për veprën tjetër – armëmbajtje pa leje i është shqiptuar 1 vit burgim, prandaj në total Gjykata i ka shqiptuar dënimin unik prej 20 vjetësh burgim.

Sipas aktgjykimit, i gjithë problemi kishte filluar rreth një borxhi të cilin i akuzuari Lulzim Idrizi ia kishte pasur Eron Agajt, ku për shkak të këtyre parave që i akuzuari nuk ia kishte kthyer të ndjerit Eron Agaj, ky i fundit ia kishte marrë veturën të akuzuarit, veturë e cila kishte qenë në pronësi të motrës së të akuzuarit.

Pas presionit të cilit të ndjerët i kishin bërë të akuzuarit në mënyrë që ai t’ua kthente borxhin, në ditën kritike i akuzuari i kishte telefonuar dy të rinjtë dhe i kishte ftuar që të shkonin te Parku i Qytetit në mënyrë që të bisedonin në lidhje me borxhin.

Pasi që dy të rinjtë kishin shkuar aty me motoçikletë të cilën kishte qenë duke e drejtuar i ndjeri Arianit Gashi, porsa kanë arritur në vendin e ngjarjes i akuzuari kishte shtënë në dy të rinjtë me ç ‘rast Eron Agaj kishte ndërruar jetë në vendngjarje ndërsa Arianit Gashi në QKUK.

Lulzim Idrizit në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 19 nëntor i vitit të kaluar.

Me rastin e shqiptimit të dënimit Gjykata ka udhëzuar palët e dëmtuara që për kërkesë pasurore juridike të drejtohen në kontest civil.

I akuzuari Lulzim Idrizi është i detyruar që pasi që ky aktgjykim të marrë formën e prerë, të paguajë paushallin gjyqësor në vlerë prej 200 eurove.

Pas shpalljes së aktgjykimit reagime të ashpra pati nga ana e familjarëve të dy të ndjerëve, të cilët ishin të pakënaqur me vendimin e Gjykatës.

Ata reaguan duke e konsideruar si të padrejtë dhe të vogël dënimin të cilin Gjykata i shqiptoi të akuzuarit, dënim të cilin e konsideruan si “turp” të Gjykatës.

Madje në mesin e familjareve pati edhe reagime të llojit si “Kjo nuk mbaron me kaq!”.

Me rastin e shqiptimit të dënimit kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor është arritur të vërtetohen të gjitha pretendimet e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria.

Lulzim Idrizi, shtetas i Shqipërisë, që nga dita kur kishte ndodhur ngjarja e deri më 19 nëntor kur u vetëdorëzua në Polici, ndodhej në arrati.

Më 19 nëntor të atij viti, i dyshuari Idrizi u dorëzua në Polici, derisa të nesërmen, më 20 nëntor, të njëjtit iu caktua masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjatë fjalës përfundimtare, si prokurorja e rastit ashtu edhe prindërit e të ndjerëve i kishin kërkuar trupit gjykues që të akuzuarin ta shpallnin fajtor dhe të njëjtin ta dënonin me dënim maksimal sipas ligjit.

Sipas aktakuzës, Lulzim Idrizi me datë 29 gusht të vitit 2016 në Prishtinë në rrugën “Hamëz Jashari”, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një borxhi me tani të ndjerin Eron Agaj, pasi që i ndjeri Eron ka shkuar me motorin e të ndjerit tjetër Arianit Gashi, të cilin e ka drejtuar vetë i ndjeri Arianiti, me qëllim që të bisedojë rreth borxhit.

Aktakuza thotë se në atë moment, i akuzuari Lulzim Idrizi me dashje që të njëjtit t’i privojë nga jeta, ka shtënë në drejtim të tyre me armë zjarri, i ka goditur disa herë nëpër pjesë të ndryshme të trupit, me ç‘rast u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, shkaku i të cilave i ndjeri Eron Agaj ka vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa i ndjeri tjetër Arianit Gashi në QKUK./kallxo.com

Loading...