Republika e Maqedonisë Veriore
Nga, Abdulla Mehmeti
Pas përfundimit të bisedës së sotme përmes telefonit mes kryeministrit të Maqedonisë dhe atij të Greqisë, përfundimisht hapet rruga për nënshkrimin e marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit çerekshekullor mes këtyre dy shteteve për çështjen e emrit të Republikës ish jugosllave të Maqedonisë. Siç njoftojnë mediat e vendit dhe ato të jashtme, marrëveshja parasheh ndryshimin e emrit të shtetit, i cili në gjuhën shqipe do të jetë: „Republika e Maqedonisë Veriore“, e jo „Republika Veriore e Maqedonisë“, ose „Republika e Maqedonisë së Veriut“ (në gjuhën shqipe shkruhet e thuhet: Evropa Perëndimore, jo Evropa e Perëndimit; Ballkani Perëndimor, jo Ballkani i Perëndimit etj.), siç mund ta përkthejnë personat jokompetentë, ose mediat amatore në gjuhën shqipe. Sipas marrëveshjes që pritet të nënshkruhet në fund të kësaj jave, ky emër do të jetë i përkthyeshëm dhe në përdorim të përgjithshëm.
Se çfarë fitojnë apo humbin shqiptarët e Maqedonisë me këtë emër të ri të shtetit, kjo është çështje tjetër, e cila kërkon analizë më të hollësishme dhe profesionale. Një gjë është e sigurt, që shqiptarët përfundimisht do të jenë faktor në këtë proces, meqë sipas marrëveshjes duhet të bëhet ratifikimi i saj në Parlament, të mbahet referendum dhe të bëhen ndryshime në Kushtetutë.
Një gjë është e sigurt, se emri i ri i këtij shteti përfundimisht e varros idenë e jogosllavizmit, megalomaninë nacionalshoviniste sllave dhe dominimin e maqedonasve ndaj shqiptarëve, si dhe hap perspektiva të reja evropiane dhe euroatlantike, të synuara dhe shumëpritura nga shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm.