Serbia nuk përshëndet marrëveshjen mes Maqedonisë e Greqisë për emrin

Shpërndaje

Serbia mbetet i vetmi shtet ballkanik që ende nuk e ka uruar zyrtarisht fqinjën e saj Maqedoninë dhe Greqinë për nënshkrimin e tyre të dielën të një marrëveshjeje të rëndësishme për të zgjidhur përfundimisht mosmarrëveshjen e tyre mbi emrin e Maqedonisë.

Bojan Klacar, drejtor i Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, CESID, tha se ishte shumë e qartë se nuk ka pasur reagime deri tani nga Serbia për një nga ngjarjet më të rëndësishme në rajon, që i dha fund debatit të hidhur mes Maqedonisë dhe Greqisë.

“Si arsye për mungesën e reagimeve zyrtare nga Beogradi, në këtë moment, mund të përmenden dy të tilla: së pari, marrëdhëniet midis Serbisë dhe Maqedonisë që nga ardhja në pushtet e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev nuk janë të mira dhe shpesh kemi dëshmuar marrëdhënie të këqija dypalëshe midis dy vendeve,” tha Klacar.

Qeveria e Zaevit erdhi në pushtet vitin e kaluar, duke zëvendësuar partinë VMRO-DPMNE, administrata e të cilës nuk arriti të bënte përparim në mosmarrëveshjen me Athinën.

Në gusht 2017, Serbia tërhoqi stafin e ambasadës nga Shkupi pasi presidenti Aleksandër Vuçiq pretendoi se Beogradi duhej të siguronte “prova inteligjence tepër ofenduese ndaj institucioneve të Serbisë” nga ana maqedonase, duke pretenduar se ishin të përfshira gjithashtu edhe “pushtete të huaja” të paidentifikuara.

Raportet e medias kanë spekuluar se një nga faktorët në incidentin diplomatik ishte një oficer serb i inteligjencës, Goran Zhivaleviq, i cili ka punuar si këshilltar në ambasadën serbe në Shkup.

Zhivaleviq ishte i pranishëm gjatë një episodi të dhunshëm më 27 prill të vitit të kaluar, kur një grup burrash sulmuan parlamentin maqedonas në Shkup në një përpjekje për të penguar Zaevin që të formonte një administratë.

Zhivaleviq tha për agjencinë e lajmeve Tanjug në 23 gusht se ai kishte miratimin e autoriteteve maqedonase që të ishte në ndërtesën e parlamentit atë natë – edhe pse zyra e presidentit maqedonas Gjorge Ivanov e mohoi këtë.

Loading...