Thaçi pas takimit me Vuçiç: Nëse nuk arrijmë marrëveshje do të humbim shumë

Shpërndaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiç, zhvilluan takimin e parë të fazës përfundimtare të procesit të dialogut në Bruksel me ndërmjetësimin dhe udhëheqjen e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, raporton Anadolu Agency (AA).

Një një deklaratë për media pas takimit, presidenti Thaçi u shpreh se ishte një takim i vështirë, por me tone pozitive për të shikuar drejt të ardhmes për interesin e të dy vendeve.

“Jemi dakorduar që procesi të merr një dinamikë dhe të intensifikohet në javët e ardhshme. Gjithashtu kemi arritur në konkludimin se arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të raporteve Kosovë-Serbi është në interesin e të dy vendeve, paqes dhe stabilitetit në rajon, pra në arritjen e një marrëveshje fituese për të dy palët. E kjo zgjidhje është marrëveshja e standardeve dhe kritereve evropiane edhe për Kosovën edhe për Serbinë”, tha ai.

Ai bëri të ditur se në takim është diskutuar se si të arrihet një kornizë e përgjithshme e kësaj marrëveshjeje që do të jetë e pranueshme edhe për popullin e Kosovës dhe të Serbisë, duke shtuar se njerëzit duhet të shikojnë kah e ardhmja evropiane dhe jo nga e kaluara konfliktuoze.

Në rast se nuk arrihet marrëveshja përfundimtare, presidenti kosovar tha se duhet të punojmë me respekt të ndërsjellë, në paqe dhe stabilitet, të mos e provokojmë njëri tjetrin dhe të shikojmë drejt interesit të përbashkët.

“Por shpresoj edhe sot që është momentumi dhe lidershipi i duhur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Përndryshe nëse e humbim këtë momentum do të paguajmë çmimin të dy vendet dhe një çmim shumë të lartë”, ka thënë Thaçi duke shtuar se zgjidhja e një konflikti më tepër se një shekullor nuk është i lehtë por edhe e kaluara jonë na e imponon fqinjësinë e mirë të dy vendeve dhe popujve tanë.

Ai u shpreh se kanë diskutuar për rrugën se si do të shkojmë drejt një kornize të përgjithshme të marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e plotë për pajtim të Kosovës dhe Serbisë . Duke shtuar se nuk është naiv që të mendojë se do të kemi zgjidhje magjike dhe të menjëhershme të problematikave të së kaluarës, Thaçi ka thënë se shpreson shumë se Kosova do të jetë e përgjegjshme.

“Gjithashtu nuk duhet të mbetemi peng i miteve të së kaluarës, por të jetojmë në realitetin aktual dhe vizionit për të ardhmen e dy vendeve. Sot edhe në Kosovë dhe Serbi nuk është patriotizëm të vajtohet e kaluara, por thjesht patriotizëm është arritja e marrëveshjes së paqes dhe pajtimit”, është shprehur presidenti Thaçi.

Sipas Thaçit ky dialog dhe negociatat Kosovë-Serbi kanë tejkaluar kornizat e ngushta etnike serbo-shqiptare dhe shtoi se dialogu tani më është i një standardi dhe një interesi evropian.

“E di se me marrëveshje mund të fitojnë shumë të dyja palët, por edhe nëse nuk arrijmë marrëveshje ne do të humbim shumë, sepse do të mbetemi vende të izoluara, pasi BE-ja as Kosovën dhe Serbinë nuk do ta pranojë me problemet që kanë, por vetëm me tejkalimin e këtyre problemeve”, ka thenë ai.

Loading...