Vonohet përzgjedhja e anëtarëve të KSHZ-së

Shpërndaje

Edhe pse afati po përfundon, Kuvendi nuk ka zgjedhur ende një përbërje të re të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi thotë se partitë politike pritet të vendosin zyrtarisht cilët kandidatë i mbështesin. Pastaj Komisioni për Zgjedhje dhe Eemërime duhet ta informojë Xhaferin për propozimet e anëtarëve të KSHZ-së, që ai të thërrasë seancën për votimin e përbërjes së re.

Sapo të marr njoftim nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, një zgjidhje është që të thërrasë takim brenda një periudhe më të shkurtër prej dhjetë ditësh, ose duhet pritur seanca e rregullt më 17 korrik për ta zgjedhur Komisionin –  deklaroi Talat Xhaferi.

Opozita duhet të ketë tre anëtarë në KSHZ. Nga partia më e madhe opozitare VMRO DPMNE për Alsat M, thonë se ende nuk kanë një vendim zyrtar, megjithëse Oliver Derkovski dhe Svetlana Karapetrova përmenden si kandidatë të mundshëm. Aleanca për Shqiptarët dhe BESA e Kasamit do të propozojnë një kandidat të përbashkët, por ende nuk kanë vendosur se kush do të jetë ai. Partitë në pushtet, megjithatë, duhet të kenë katër përfaqësues, nga të cilët një nënkryetar i komisionit. Në LSDM, parimisht kanë rënë dakord për Boris Kondarkon, ish-kryetar i KSHZ-së, për Janaki Vitanovskin, ish-anëtar i Komisionit të Lustrimit dhe gjyqtarja nga Ohri, Radica Risteska. Propozimi i BDI-së, jozyrtarisht është Ditmire Shehu, juriste e diplomuar, ish-sekretare e komunës së Gostivarit. Përbërja e re e KSHZ-së do të jetë me karakter të përkohshëm, me mandat gjashtëmujor dhe do ta organizojë referendumin për emrin, të paralajmëruar për në vjeshtë. Në konkurs kanë aplikuar 41 kandidatë për anëtarë të Komisionit, ndërsa Parlamenti përbërjen e re e zgjedh me shumicë prej dy të tretave./Alsat

Loading...