Vrau nusen e djalit, familjarët: Si e gjetëm në oborr

Shpërndaje

Nga Bleona Metushi

Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje seancën e radhës për Noc Totën, i cili vrau nusen e djalit në 2017-ën. Para togave dëshmuan 5 dëshmitarë, të cilët treguan për ngjarjen. Sipas familjarëve zënkat ishin të shumta dhe motivet ishin disa, nga punët, shërbimi që i bënte nusja dhe ekonomia. Ndërsa motivet e dobëta në krimin brenda familjes, kanë krijuar shumë viktima në Shqipëri

Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi seancën e radhës në ngarkim të të pandehurit Noc Tota, i cili në maj të 2017-ës vrau nusen e djalit duke e qëlluar atë me levë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Zheje të Kurbinit, mëngjesin e 3 majit të vitit të shkuar, ku i moshuari ka qëlluar në oborrin e shtëpisë me levë të renë, nënë e 2 fëmijëve, duke e lënë të vdekur në vend. Motivet janë ato të zakonshmet në çdo vrasje në Shqipëri, ato të dobëtat, të cilat janë kthyer në një “sëmundje” të rëndë për shoqërinë tonë.

Në seancën e djeshme para gjykatës dëshmuan 5 dëshmitarë të akuzës, të cilët ishin familjarë të pandehurit dhe treguan për momentin kur kishin marrë vesh lajmin dhe se çfarë kishin parë kur kishin shkuar në vendin e ngjarjes. Më konkretisht, dëshminë e saj dha bashkëshortja e të pandehurit, e cila mësohet se tashmë jeton e vetme pasi djali i vogël, bashkëshort i viktimës, është larguar nga shtëpia bashkë me dy fëmijët. Sipas saj, me djalin dhe dy nipërit kishin marrëdhënie shumë të mira, por me nusen kishin zënka të shpeshta, e pyetur nga gjykata për arsyen, e moshuara ka refuzuar të kthej një përgjigje konkrete.

“Me djalin tim dhe fëmijët (nipërit) i kemi pasur marrëdhëniet shumë të mira. Me nusen, kur erdhi në fillim ishte mirë, por pasi kaloi koha nusja kur futej në shtëpi gjithmonë bënte sherr. Ajo ka qenë edhe për vizitë, ka qenë sëmurë. Unë nuk di çfarë të them për të, por zënka kemi pasur.”-tha Marie Tota. Ndërsa me tej tregoi se edhe mbrëmjen para se të ndodhte vrasja, e reja, siç e quan ajo nusen e djalit, kishte bërë debate me ta. Nga ana tjetër, të nesërmen në mëngjes e ka gjetur nusen në oborr, teksa po kërkonte bashkëshortin për të pirë së bashku kafen e mëngjesit. “Një natë para se të ndodhte ngjarja, ajo ka bërë llafe me ne, ndërsa Arbeni ka qenë në punë. Ne ishim të gjithë në një dhomë, nusja së bashku me dy fëmijët, aty bëri llafe me ne.

Pastaj kemi fjetur gjumë dhe kur jam ngritur nuk e kam gjetur burrin aty, nuk di ku kishte shkuar. Shkova te dhoma tjetër për të bërë një kafe dhe më pas dola të shikoj për burrin, kur po dilja për te porta e madhe, aty pash gruan (viktimën) të shtrirë për tokë, kishte gjak në kokë.”-vazhdoi më tej e moshuara, e cila ishte e rënduar psikologjikisht. Ndërsa djali i të pandehurit tregoi për momentin që i kishte thënë të vëllait për gjithë sa kishte ndodhur. “Ngjarjen ma ka treguar kushëriri i cili erdhi te shtëpia dhe më tha, ata kanë pasur probleme si të gjithë, se kur je në fshat do merresh edhe me punë të vështira dhe ndonjëherë, ata i kërkonin edhe të kujdesej për këto punët. Unë nuk di shumë t’ju them. Vëllai ishte në punë dhe lajmin për ngjarjen e ka marrë vesh nga unë. E mora në telefon dhe i tregova, i kam thënë: “Hajde se ka myt baba nusen tane”.”-tha Agustin Tota, djali i të pandehurit.

Dëshmia e kushëririt: Noci më mori në telefon, me tha hajde te shtëpia

Prokurori: Na shpjegoni për ngjarjen?

Bardhok Tota: Në datën 3 maj të vitit 2017, rreth orës 5 e gjysmë më mori në telefon Noci dhe më tha se duhet të shkoja të shtëpia se kishte një problem. U ngrita, u bëra gati dhe shkova se e kam afër, aty te oborri pash Marien dhe pak më vonë pash nusen, ajo nuk reagonte fare, i kemi hedhur sipër një çarçaf. E pyeta Marien se ku është Noci, më tha që nuk e dinte dhe se ai kishte dalë që herët. Pas kësaj, kam njoftuar familjarët, njerëzit e fisit dhe vëllezërit e Nocit që ishin aty afër. Nuk kaloi shumë edhe ka ardhur policia, pasi u njoftua për ngjarjen. Pasi kishin kaluar disa minuta, më merr në telefon bashkëshortja ime, e cila më tha se Noci kishte shkuar te shtëpia ime.

I kam kërkuar të ma kalonte në telefon dhe Nocit i kam thënë që të mos lëvizte nga shtëpia dhe se duhej të dorëzohej në polici. Pavarësisht se në telefon i thash që duhej të dorëzohej, për rreth një orë, nuk i kam thënë njeriu se ai ishte në shtëpinë time deri në momentin që i plotë fuqishmi i zonës më tha se atë po e kërkon policia dhe duhet ta gjenim. Aty i kam treguar situatën dhe e kemi dorëzuar me vullnetin e tij, e kemi çuar vetë me makinë në polici. Kur e kam pyetur se si ndodhi dhe pse, më ka thënë vetëm se “Kështu ndodhi, gabova!”. Sa i përket problemeve, rreth 1 vit para se të ndodhte ngjarja, djali me nusen kanë ikur për të jetuar në Laç, në një shtëpi me qira. Nga në bisedë që kam bërë me Nocin, i më ka thënë se “u prisha unë me nusen, prandaj ikën”.

Dëshmia e të vëllait: Kanë pasur konflikte për arsye ekonomike

Prokurori: Çfarë dini në lidhej me ngjarjen?

Martin Tota: Edhe para se të ndodhte kjo ngjarje e rëndë, Noci me të renë e vetë kanë pasur disa konflikte për arsye ekonomike. Ata kishin bërë disa herë llafe dhe në lidhje me këtë situatë e kam këshilluar të mos bënte më kështu gjërash. Në këtë bisedë, Noci më tha se nuk donte t’i ikte ekonomia kot ata kishin shtëpinë aty dhe në atë kohë djali i tij Arbeni, së bashku me Verën ishin larguar për në Laç për të jetuar. Kam qenë unë që kam shkuar dhe e kam takuar Arbenin, e këshillova që të kthehej te shtëpi se edhe prindërit ishin vetëm dhe duket se më dëgjoi, pasi u kthye.

Pas këtyre momenteve, kur kam qenë njëherë duke pirë kafe me Nocin dhe e kam pyetur se si shkonin punët, më tha se më mirë se tani s’ka ku të shkoj, shkojmë mirë. Dy-tre ditë pas kësaj bisede ka ndodhur edhe ngjarja e rëndë. Unë dua të them se nuk e di se çfarë ka ndodhur, pasi të gjithë që e njohin Nocin, jo se është vëllai im, por e respektojnë, edhe e reja ka qenë e mirë, ka qenë e ndërgjegjshme, nuk di si mund të ketë ndodhur kjo. Për ngjarjen kam pyetur edhe vetë Nocin kur ka qenë në paraburgim. Kur kam shkuar atje i kam thënë si ndodhi dhe më tha që nuk e dinte fare se si e kishte bërë atë veprim. “S’di si erdhi, kur kam dalë te porta kam marrë një levë dhe e kam bërë”.

Loading...