Zaev: Me paga të larta do të parandalojmë braktisjen e mjekëve nga vendi

Shpërndaje

Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të bëjë ç’mos për të mbajtur mjekët e rinjë në vend, respektivisht, të parandalojë braktisjen e vendit nga kuadri mjekësor, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në panel diskutimin “Investojmë në mjekë të rinj, e ardhmja e Shëndetësisë së Maqedonisë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Zaev, tha se fatkeqësisht, në të kaluarën Maqedonia ka humbur shumë mjekë të talentuar dhe të arsimuar të cilët në kërkim të kushteve më të mira të punës, janë shpëngulur në vende të ndryshme të Evropës dhe botës. Ai tha se kjo praktikë duhet ndaluar, ndërsa mjekëve të rinjë, dhe atyre të ardhëshëm të pranishëm në panel diskutimin, u tha se vendi ka nevojë për praninë e tyre këtu.

Qeveria e Maqedonisë, tha Zaev, ka miratuar një propozim-program për vitin 2019, dhe i njëjti ka të bëjë me edukimin e mjekëve dhe personelit mjekësor dhe për bashkëfinancim të specializantëve, të subspecializantëve dhe punonjësve shëndetësor në ordinancat private.

“Si rrjedhojë e zbatimit të këtij programi, pacientët do të marrin shërbime mjekësore me standarde të larta, mjekët e rinjë do të përsosin njohuritë e tyre, me çka diagnostifikimi i sëmundjeve do të bëhet në kohë. Për këtë, kemi paraparë mjete të mjaftueshme financiare nga buxheti i vitit 2019. Në mënyrë shtesë, në programin e punës së qeverisë 2017-2020, me një sërë masash garantojmë se do të kemi një sistem të qëndrueshëm për mbrojtje shëndetësore, të arritshëm, cilësor dhe afatgjatë”, tha Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë, premtoi edhe rritjen e pagave, për motivim shtesë në punë, për të shtuar se deri në vitin 2020, pagat e mjekëve specialistë do të rriten shkallë shkallë, për të arritur në 100.000 denarë, ose 1600 euro.

“Me paga më të larta dhe me kushte më të mira për specializim dhe mësim praktik do të krijojmë atmosferë që të mos dëshironi ta braktisni vendin dhe të mbeteni në Maqedoni. Kjo është një dëshirë e jona, shpresoj të jetë edhe e juaja”, tha Zaev, sipas të cilit vetëm në Shkup, ka mungesë prej 100 mjekësh, ndërsa në tërë territorin e Maqedonisë, ky numër është të paktën trefishi më i lartë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Flipçe, nga ana e tij tha së mbajtja e kuadrit mjekësor po bëhet fillimisht përmes rritjes së pagave, rritjes së pagesës për kujdestaritë, punës së natës dhe jashtë orarit të punës dhe rritjes së kuotave për specializim shtetëror.

“Numri i specializantëve do të caktohet në bazë të vlerësimeve në terren, konkursi për të cilin do të shpallet në shtator. Me paga më të larta dhe përmirësimin e kushteve të punës, synojmë një atmosferë në të cilën mjekët dhe kuadri tjetër mjekësor do të motivohen të qëndrojnë në shtëpi”, tha Filipçe.

Pas fjalimeve hyrëse, vijoi debati ku mjekët e rinjë dhe specializantët kishin mundësi të bashkëbisedojnë me kryeministrin Zaev, ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipce, deputeten në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Meri Lazarova, kryetarin e Klubit të Mjekëve të Rinj, Nikola Brzanov dhe kryetaren e Shoqatës së mjekëve specializantë, Biljana Dodeva, për të gjitha shqetësimet që prekin angazhimin e tyre profesional.

Loading...