Zaevi dhe Ahmeti po zvarrisin ndarjen e posteve të drejtorëve për BESËN dhe PDSH?!
Ndarja e drejtorive dhe posteve të tjera në eshalonin e tretë mes partnerëve të koalicionit qeveritar ende po zvarritet. Burime partiake bëjnë të ditur për televizionin Shenja se as nuk kanë filluar të takohen grupet punuese të cilat u paralajmërua se do të formohen dhe do të diskutojnë për këtë çështje.
As partnerët e deritanishëm e as partnerët e posainkuadruar në koalicionin qeveritar nuk kanë informata se kur do të bëhet ndarja e drejtorive dhe pozicioneve të tjera në eshalonin e tretë. Vetë zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski javën e kaluar paralajmëroi se menjëherë pas zgjedhjes së ministrave dhe zëvendës-ministrave në Kuvend, brenda kësaj jave do të ketë përgjigje konkrete për ndarjen e drejtorive.
MILE BOSHNJAKOVSKI, ZËDHËNËS I QEVERISË (31 MAJ, 2018)
“Të presim deri të premten, të kalojë fillimisht seanca në kuvendin e Maqedonisë, të shohim se si do të kalojnë propozimet e reja për ministra, zv/ministra, kështu që gjatë javës së ardhshme, do të mund t’u jepnim përgjigje më adekuate”
Pas arritjes së marrëveshjes për zgjerimin e koalicionit qeveritar me Lëvizjen Besa, PDSH-në dhe Partinë Demokratike Turke, u paralajmërua se këtyre partive do t’u takojnë edhe drejtori përkrah posteve të ministrave dhe zëvendës-ministrave të cilët u zgjodhën të premten e kaluar. Lëvizja Besa në Qeveri do të drejtojë ministrinë e kulturës, ndërsa kuadër i kësaj partie do të zgjidhet sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë.
Ndërkaq, PDSH e Menduh Thaçit mori Ministër për Investime të huaja dhe zëvendës-ministër për Transport dhe Lidhje. Ndarja e dikasterëve në eshalonin e tretë mes partnerëve të koalicionit dhe zgjedhja e drejtorëve të rinj është vlerësuar si domosdoshmëri për shkak se shumë pozicione kanë ngelur të zbrazta për muaj të tërë, disa madje edhe që nga formimi i Qeverisë së re.