Kurti godet keq Haradinajn, thotë se në vjeshtë mund të ketë edhe demonstrata

Shpërndaje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kritikuar ashpër, Kryeministrin Ramush Haradinaj e Presidentin Thaçi, sipas tij Haradinaj në këtë mes është ministër pa portofol, ndërsa realisht këtë qeveri e udhëheq Thaçi, raporton Gazeta Blic.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Qeveria e Kosovës, ka dorëzuar në Kuvend një material me titull “Raporti mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit”. Sipas tij ky nuk është një raport, por informatë për Kuvendin.

“Ky regjim e do Kosovën si një komunë të vetme për qeverinë formale të Haradinajt dhe si një republikë presidenciale për autokracinë e Thaçit”, ka shkruar ai.

Ai tha se këto veprime të pushtetarëve nuk po lënë zgjidhje tjetër veçse sërish qytetarëve të ngritën në demonstrata në këtë vjeshtë, në mënyrë që të mos humbet në dimër edhe ky gjysmë shteti që ka mbetur

Shkrimi i plotë i Kurtit: 

Më 9 korrik 2018, Qeveria e Kosovës, ka dorëzuar në Kuvend një material me titull “Raporti mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit”. Këtë e bëri Qeveria e cila e ka kryeministër Ramush Haradinajn. Mirëpo, Qeveria faktike e cila e ka për kryeministër Hashim Thaçin shkoi në Bruksel te Vuçiqi, pa e përfillur dhe diskutuar fare këtë Raport në Kuvendin e Republikës. Haradinaj është i përfshirë edhe në këtë Qeverinë tjetër, porse këtu vetëm si ministër pa portofol.

Kësisoj, kemi edhe një tjetër Raport të Qeverisë që nuk është raport ndaj Kuvendit por informatë për Kuvendin. Jo për t’i dhënë llogari Kuvendit, por për ta margjinalizuar atë. Ky regjim e do Kosovën si një komunë të vetme për qeverinë formale të Haradinajt dhe si një republikë presidenciale për autokracinë e Thaçit.

E thonë edhe vetë, se gjithçka me Serbinë duan ta rrumbullakësojnë para zgjedhjeve të pranverës 2019 të Bashkimit Evropian. Me fjalë të tjera, kalendari i BE-së duket se është gjithçka për ta, jo sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial i Kosovës. Ata po na dëshmojnë se nuk janë të interesuar për dialog të brendshëm e formulim kërkesash ndaj Serbisë, për parime dhe kushte të dialogut, për ekip negociator të Kosovës me qëllime të qarta dhe strategji fitimtare.

E kanë veçse hallin e brendshëm personal që u varet nga kalendari i jashtëm politik. Tanimë s’ka pse njeriu flet më për ta a me ta. Kjo koniukturë politike me këtë keqtrajtim që po ia bën interesave jetike të Kosovës po ia imponon sërish qytetarëve të ngriten në demonstrata në këtë vjeshtë, në mënyrë që të mos humbet në dimër edhe ky gjysëm shteti që ka mbetur.

Për përmbajtjen e Raportit, një herë tjetër, mirëpo me këto dy qeveri dhe sjelljen e tyre, kjo përmbajtje tashmë është çështje dytësore.

Loading...