Media greke: Dhamë “Epirin e Veriut” për “Çështjen Çame” që nuk ekziston. Shqipëria fitoi edhe ‘detin’
Greqia dhe Shqipëria janë edhe më pranë zgjidhjes së problemeve mes dy vendeve. KOnfirmimi vjen nga mediat helene.
Gazeta e madhe “Protothema” ka zbuluar disa detaje rreth marrëveshjes që synon të zgjidhë çështjet e hapura. Marrëveshja pritet të bëhet publike në Korrik, raporton “Protothema”, ku do të firmoset nga një takim i përbashkët mes Kryeministrave Edi Rama dhe Alexis Cipras.
Paketa e zgjidhjes së problemeve përmban heqjen e ligjit të luftës, heqjen e tarifave konsullore të dokumenteve qeveritare greke, hyrjen në fuqi të njohjes së patentave shqiptare, mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke, ndarjen e zonave ekskluzive detare, heqjen e termave irredentiste nga tekstet shkollore shqiptare dhe varrezat për ushtarët grekë. Shqipëria dhe Greqia do të firmosin gjithashtu një pakt të ri të miqësisë dhe bashkëpunimit.
E përditshmja “Protothema” i mëshon faktit për Epirin e Veriut. “Japin Epirin e Veriut për Çamërinë që nuk ekziston”, është titulli i këtij shkrimi.
Sipas saj, pala greke ka pranuar që të heqë termin “Epiri i Veriut”, megjithatë kjo nuk është e konfirmuar zyrtarisht. Nga ana tjetër, edhe Shqipëria nuk do të përdorë më termin Çamëria, shkruan gazeta greke. Në të dyja rastet, thuhet në artikull, nuk do të ketë pretendime formale territoriale.
Edhe për çështjen e pronave do të ketë një pakt, por nuk do të ketë bëjë me kërkesat çame për pretendime territoriale.
“Shumë nga këto prona të bllokuara nga ligji i luftës, janë në Janinë, Selanik dhe në disa zona të rajonit të Thesalisë. Sipas një vlerësimi jo zyrtar, vlera e tyre është rreth 15 milionë Euro”, shkruan “Protothema”.
Gazeta greke sjell gjithashtu në vëmendje se këto pika janë dakordësuar gjatë takimeve të përbashkëta mes ministrave të Jashtëm Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias; në Nëntor 2017 në Kretë, në Janar 2018 në Korçë, në Mars 2018 në Tiranë, në Maj 2018 në Sounion dhe takimi më i fundit në ishullin Rodhos të premten e kaluar.
Zonat detare
Për Greqinë, problemi më i rëndësishëm i marrëveshjes është, pa diskutim, ai i përcaktimit të zonave detare. Në thelb, bëhet fjalë për përcaktimin e ZEE-së, por nuk përmendet me këtë emër, sepse Greqia ende nuk ka shpallur ZEE. Përcaktimi i zonave detare ka lidhje direkte edhe me interesimin për kërkimin e hidrokarburëve në Zonat 1 dhe 2 në Detin Jon.
Siç dihet, në fund të viteve 2000 ishte nënshkruar një marrëveshje për këtë çështje nga qeveritë Karamanlis dhe Berisha. Me ndërhyrje turke në prapaskenë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e mbështetur atëhere edhe nga kreu i opozitës kryesore, Edi Rama (Partia Socialiste), e anulloi. Që atëhere çështja mbetet pezull.
Sipas burimeve, pala greke pranon një korrigjim, me qëllim zgjidhjen e problemit. Qeveria e sotme shqiptare mbron pikëpamjen se marrëveshja e nënshkruar, por jo e ratifikuar, pranon se gjire detare do të mundej të konsideroheshin “të mbyllur”, me qëllim që të ketë fuqi parashikimi përkatës i Konventës së Detit. Pikërisht në këtë pikë do të bëhet korrigjimi, i cili do të ketë si pasojë që një sipërfaqe jo shumë e madhe detare, që më parë i takonte Greqisë, në marrëveshjen e re t’i jepet Shqipërisë. Qeveria Rama e kishte vënë këtë si kusht, pasi pa korrigjim nuk do të mund të pranonte atë që më parë kishte denoncuar.
Sipas burimeve, marrëveshja përcakton se pala shqiptare pranon që ishujt Othonoi dhe Erikousa të kenë influencë mbi zonat detare. Kjo ka një rëndësi tepër të madhe, sepse përbën një rast referimi pozitiv, që lidhet me konfliktin greko-turk mbi atë nëse ishujt kanë të drejtën e influencës ndaj zonave detare. Prandaj kjo ishte dhe arsyeja që para 10 vjetësh Ankaraja arriti të “rrëzojë” (torpedo) me sukses marrëveshjen e atëhershme.
Nikos Kotzias e promovon këtë marrëveshje si një hap të domosdoshëm për rehabilitimin e marrëdhënieve në Ballkan. Por, paradoksi është se qeveria greke duket se po nxiton më shumë nga ajo shqiptare. Për shkak të këtij nxitimi, në kohën që po shkruhen këto rreshta, Kotzias dhe Bushati, tashmë kanë në duart e tyre një marrëveshje-paketë, e cila mbulon të gjithë gamën e çështjeve pezull në marrëdhëniet greko-shqiptare.
Megjithatë, qarqe diplomatike thonë se marrëveshja ndoshta mund të hyjë në një status pritjeje, ashtu si edhe ecuria europiane e Shqipërisë. Nën peshën e shtyrjes së negociatave të anëtarësimit dhe të tensioneve që shprehën mjaft vende-anëtare, është e qartë se Edi Rama nuk ka arsye që të nxitojë.
Një fakt i dukshëm që vërteton klimën e pakënaqësisë që mbizotëron në Tiranë pas shtyrjes së hapjes së negociatave të anëtarësimit të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe FYROM-in për në vitin 2019, ishte nxitimi me të cilin Edi Rama refuzoi prerazi propozimin për mundësinë e ngritjes së qendrave të pritjes për refugjatët dhe emigrantët në vendin e tij.