Nesër sërish takimi liderësh në Maqedoni (VIDEO)

Shpërndaje

Kryeministri Zoran Zaev pas përfundimit të takimit të liderëve në një konferencë për media iu përgjigj kërkesës së kreut të opozitës maqedonase Hristijan Mickoski për një takim tjetër vetëm mes katër liderëve të partive më të mëdha politike në Maqedoni.

Zaev tha se takimi do të mbahet nesër në ora 12.

*******************

Mickoski e braktisi takimin e liderëve, ja çka kërkon

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka lëshuar mbledhjen në kuadër të takimit të liderëve të thirrur nga kryeministri Zoran Zaev. Mickoski ka akuzuar se shumë liderë të partive tjera parlamentare janë anashkaluar nga ky takim. Ai gjithashtu ka kërkuar që Zaev të thëret takim tjetër, jo më vonë se të hënën në të cilin do të marrin pjesë vetëm katër liderë, dy nga pushteti dhe dy nga opozita.

“Vërtetë për ne nuk ishte i qartë kocepti se pse të gjitha partitë parlamentare nuk janë të përfaqësuara në këtë mbledhje. Morëm sqarim të cilin vërtetë nuk mundeshim ta pranojmë në stilin se si na u shpjegua. Gjithashtu si VMRO-DPMNE shprehëm paknaqësi serioze për sjelljen e papërgjegjshme të përfaqësuesve të Qeverisë por edhe të shumicës parlamentare kur gjatë ditës së djeshme në mënyrë të papërgjegjshme që nuk ka qenë praktik në jetën politike të Maqedonisë, që pa mbështetjen e opozitës të zgjidhet përbërja e KSHZ-së. Për këtë ne si VMRO-DPMNE shprehëm pakënaqësinë tonë dhe i treguam edhe arsyet tjera pse e lëshuam mbledhjen. I bëjmë thirrje kryeministrit Zoran Zaev që gjatë javës, jo më vonë se të hënën, të organizojë takim liderësh që nuk do të përbëhet nga më shumë se katër persona, siç ka qenë praktikë deri më sot. Pra lideri i partisë më të madhe në pushtet, lideri i partisë më të madhe shqiptare që është në koalicion qeveritar, lideri i partisë më të madhe opozitare dhe lideri i partisë më të madhe opozitare shqiptare”, deklaroi Mickoski.

****************
Filloi takimi i liderëve në Klubin e Deputetëve

Në Klubin e Deputetëve në Shkup para pak kohe filloi takimi i liderëve të partive politike, të cilat kanë më shumë se një deputet në Kuvend, me iniciativë të kryeministrit dhe liderit të LSDM-së Zoran Zaev. Në takim duhet që të tejkalohen dallimet midis partive qeveritare dhe opozitës rreth përgatitjeve të referendumit për Marrëveshjen me Greqinë që duhet të mbahet në vjeshtë.

Zaev, siç u citua në njoftimin e djeshëm të Qeverisë, takimin e liderëve e konvokon në një përbërje të tillë (liderët e të gjitha partive parlamentare me më shumë se një deputet) për shkak të momentit politik shumë të rëndësishëm i cili e imponon zgjerimin e kornizës institucionale të takimeve të liderëve.

Në takim merrnin pjesë kryeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev me Radmilla Shekerinskën, Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani nga BDI-ja, Ziadin Sela dhe Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, Menduh Thaçi dhe Imer Aliu nga PDSH-ja, Afrim Gashi nga njëri krah dhe Bilal Kasami dhe Fadil Zendeli nga krahu tjetër i Besës, nga VMRO-DPMNE-ja Hristian Mickoski dhe Tanja Karakamisheva, nga OBM-ja Liljana Popovska dhe Maja Moraçanin, Lupço Dimovski he Vlladinka Aviroviq nga Partia Sociaiste si dhe Tito Petkovski dhe Goran Misovski nga PRSM-ja.

Kjo është hera e parë që takim i tillë i liderëve të mbahet me këtë përbërje, gjegjësisht të ftohen edhe liderët e partive të cilët kanë më shumë se një deputet në Parlament.

Kryeministri Zoran Zaev në Shtip deklaroi se në takimin e liderëve në tavolinë si temë do ta vendosë referendumin që konform marrëveshjes me Greqinë duhet të zbatohet në vjeshtë.

“Nga takimi i liderëve pres të definojmë temën e referendumit. Kjo nënkupton të përcaktojmë datën e mbajtjes së referendumit, të definojmë çështjen e referendumit dhe karakterin e referendumit, KSHZ-në dhe krejt atë që lidhet me referendumin. Pres të dëshmojmë se me të vërtetë jemi për BE dhe NATO dhe se jemi për të siguruar të ardhmen e Maqedonisë dhe gjithë qytetarëve tanë”, ka thënë Zaev.

Ai ka dërguar porosi që të respektohet ajo që qytetarët e presin nga partitë, ndërsa siç tha “është obligim edhe sipas Kushtetutës dhe ligjit dhe të realizohet ajo që partitë paraprakisht janë dakorduar”.

Edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti sot deklaroi se të gjitha forcat politike duhet të gjejnë energji për t’i përafruar qëndrimet dhe të kemi sukses në realizimin e qëllimeve të cilat janë të njohura publikisht, ndërsa është realizimi i marrëveshjes me Greqinë që të hapet rruga drejt plotësimit të standardeve dhe pranimit të Maqedonisë në NATO, si dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Ahmeti, i cili organizoi festim për anëtarësimin në NATO shtoi se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimin në NATO dhe fillimin e negociatave me BE-në dhe se kjo do të na sigurojë paqe, stabilitet dhe prosperitet ekonomik dhe të ardhme.

Kryeministri Zaev e caktoi takimin e liderëve pasi, siç u potencua, VMRO-DPMNE-ja opozitare e bllokoi procesin për zgjedhje të anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), i cili duhej ta organizojë referendumin për marrëveshjen e emrit me Greqinë. Qeveria dje propozoi, ndërsa Kuvendi e votoi nevojën e sjelljes së Kodit zgjedhor, sipas procedurës së shkurtuar dhe me flamuj evropianë. Me të parashikohet përbërja e KSHZ-së të votohet me 61 vota, ndërsa fshihet edhe paragrafi 3 i nenit 27, Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve të mos e shqyrtojë propozimin. Ndryshimet përfundimisht duhet të sillen pas mbledhjes së Komisionit për Çështje Evropiane, për të cilën kryetari i saj Artan Grubi tha se ende nuk dihet se kur do të caktohet. Megjithatë, edhe Qeveria dhe Kuvendi lanë hapësirë që ndryshimet e Kodit zgjedhor të mos sillem përderisa arrihet kompromis me opozitën në takimin e sotëm të liderëve.

Loading...