Shiu shkatërron stadiumin ku luajtën 8 ekipe në Botërorin Rusia 2018 (Video)
Sapo ka përfunduar Kupa e Botës në Rusi, një nga stadiumet ku janë luajtur disa ndeshje të turneut është dëmtuar nga një shi i madh.
Filmimet nga qyteti jugor i Volgogradit treguan rrëshqitje të një argjinature afër stadiumit, i cili bëri një vrimë disa metra të thellë.
“Më vjen keq për qytetin, investuan kaq shumë para dhe u lanë nga një shi”, tha Vitaly Ovchinnikov, një banor vendas 19-vjeçar.
Volgograd Arena, një stadium me kapacitet 45,000 spektatorë, është ndërtuar për Kupën e Botës me një kosto mbi 16 miliardë rubla (343 milionë dollarë), sipas të dhënave në faqen e internetit të qeverisë rajonale.
Tetë ekipe luajtën ndeshjet e grupeve në Volgograd, duke përfshirë Anglinë dhe Japoninë.
Zëdhënësi për Qeverinë dhe Sportin në Volgograd tha se shiu ishte i jashtëzakonshëm dhe u trajtua si një emergjencë.
“Kjo ndodh një herë në njëqind vjet”, tha ai.
Kompania Stroytransgaz, e cila ndërtoi stadiumin, nuk dha asnjë koment të menjëhershëm.