Takimi me Kitaroviç, Meta: Marrëdhëniet Shqipëri-Kroaci, forcohet bashkëpunimi në nivel strategjik
Presidenti i Sqhipërisë, Ilir Meta dhe homologia e tij kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç në konferencën e përbashkët të zhvilluar në ambientet e Presidencës nënvizuan miqësinë shekullore mes popullit shqiptar dhe atij kroat.
“Me Kroacinë kemi marrëdhënie të shkëlqyera shumëshekullore dhe lidhje të forta historike. Kroacia ka qënë dhe mbetet mbështetëse e fortë e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimit Europian. Modeli dhe eksperienca e Kroacisë në Bashkimin Europian është shumë e vyer për ne shqiptarët. Po kështu, si dy vende anëtare në NATO, ne ndajmë vizione dhe interesa të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe për këtë kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe të konsiderueshëm e do të vazhdojmë akoma më tej në të gjitha aspektet”, – tha Presidenti Meta në fjalën e mbajtur.
Ndërsa Presidentja kroate evidentoi gjithashtu miqësinë shqiptaro-kroate në fjalën e saj dhe tha se diskutimi i sotëm lidhet me forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Shqipëria ishte mikja e Kroacisë, atëherë kur miqtë ishin të paktë. Dialogu ynë ka lindur që në vitet e para të pavarësisë tonë dhe ne sot diskutuam për të fuqizuar edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve. Nga 18 mijë shqiptarë që jetojnë në Kroaci, 2500 prej tyre ishin vullnetarë në luftë dhe disa humbën jetën e të tjerë u zhdukën”, – deklaroi Kitaroviç.
Presidenti Meta tha gjithashtu se Shqipëria dhe Kroacia do të forcojnë bashkëpunimin në disa fusha.
“Dy vendet tona po punojnë që së shpejti të ngrejmë nivelin e bashkëpunimit me atë të partneritetit strategjik. Në marrëdheniet dypalëshe një vëmendje të veçantë zë bashkëpunimi ekonomik, pasi potencialet e dy vendeve, po ashtu dhe ato rajonale janë të jashtëzakonshme. Interesat e dy vendeve janë të përbashkëta dhe komplementare, kuadri i përbashkët ligjor na krijon të gjitha mundësitë për bashkëpunim, veçantërisht në fushën e turizmit, energjetikës, infrastrukturës”, – tha Meta.j.j