​Kusari-Lila: Qeveria të mbyllë tërësisht kufirin për mallrat e importuara nga Serbia

Shpërndaje

Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila shprehet e bindur se Serbia nuk do të ndiejë asnjë efekt karshi taksës prej 10 për qind të vënë ditën e djeshme nga Qeveria e Kosovës.

Në një prononcim për media, Kusari – Lila ka deklaruar se përmes këtij vendimi, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të bëjë presion ndaj Republikës të Serbisë dhe pengesave që kjo e fundit i shkakton vendit tonë.

Ajo konsideron se deri më tash është bërë zhurmë, e cila siç thotë ajo, ka bërë që të reagojnë edhe institucionet e BE-së. E për këtë, ajo thotë se Qeveria e Kosovës duhet të rishikojë vendimin, ta ndryshojë atë dhe ta mbyllë tërësisht kufirin për mallrat serbe, pavarësisht origjinës së tyre.

Ajo thotë se me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka bërë dy gabime, të cilat më shumë do t’i kushtojnë qytetarëve.

Kusari-Lila u shpreh e bindur se Brukseli do të bëjë presion për heqjen e kësaj takse, ndërsa shtoi se edhe Kosova duhet ta lidhë heqjen e kësaj mase me ndonjë kusht.

Kujtojmë se në kohën sa ishte ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, pati marrë vendim për vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë./KosovaPress/

Loading...