Analistët: Hashim Thaçi e la BDI-në me dhjetë, Ilir Meta do ta lë me vetëm pesë deputetë

Shpërndaje

Analistët shqiptarë në Maqedoni vlerësojnë se dekoratat që i ndau presidenti i Kosovës Hashim Thaçi para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, numri më i madh i të cilave iu ndanë funksionarëve të BDI-së, është një nga shkaqet kryesore pse “integristët” në zgjedhjet e fundit parlamentare ranë nga 20 në dhjetë deputetë.
Analisti Semi Mehmeti thotë për Gazetën Lajm se historia e njëjtë po përsëritet, por tani rolin kryesor bashkë me Thaçin, e ka Ilir Meta.

“Nëse Vazhdon Ilir Meta ta përkrahë BDI-në me këtë intensitet, siç po e përkrahë deri tani, nuk besoj se BDI do të marë në zgjedhjet e ardhshme më shumë se 3 ose 4 deputetë, maksimum pesë. Për këtë arsye mendoj se përkrahja e Ilir Metës për BDI-në do të ketë efekt pozitiv për shqiptarët e Maqedonisë”, thotë për Gazetën Lajm eksperti dhe analisti shqiptar Semi Mehmeti, i cili jo rrallë herë në fokusin e analizave të tij ka lidhjet e nëntokës me politikën shqiptare.
A do të thotë kjo se shqiptarët e Maqedonisë nuk duan “shtetet amë” Shqipërinë dhe Kosovën? “Jo”, përgjigjet kategorikisht analisti Mehmeti. Sipas tij, duke votuar kundër subjektit shqiptar që përkrahet nga Hashim Thaçi e Ilir Meta, shqiptarët e Maqedonisë bashkë me revoltën ndaj politikave të dobëta të atij subjekti, shprehin revoltën edhe ndaj politikave me të cilat Meta e Thaçi dëmtojnë Shqipërinë e Kosovën.

“Duhet ta kemi të qartë se, pa marrë parasysh disa paragjykime që ekzistojnë për ne në Tiranë e Prishtinë, shqiptarët e Maqedonisë e duan Kosovën dhe Shqipërinë më shumë se disa qytetarë të këtyre dy vendeve. Duke e dashur aq shumë Kosovën dhe Shqipërinë, shqiptarët e Maqedonisë nuk mund ta duan Hashim Thaçin e Ilir Metën, që, sipas mendimit tim, me politikat e tyre të gabueshme dëmtojnë vazhdimisht kauzën shqiptare në Ballkan. Ky është një nga shkaqet pse votuesit shqiptarë në Maqedoni, votojnë kundër subjekteve që kanë përkrahjen e Ilir Metës, ose Hashim Thaçit”, thekson Mehmeti.

Loading...