ASH: Rezoluta e PE për Maqedoninë, rrezik për shtyrje të mëtutjeshme të hapjes së negociatave për anëtarësim

Shpërndaje

Parlamenti Evropian ka miratuar sot rezolutën vjetore për Republikën e Maqedonisë. Aleanca për Shqiptarët e ka analizuar tekstin në detaje dhe e mbështet plotësisht listën e reformave evropiane ku qeveria LDSM-BDI nuk po arrin të japë rezultate konkrete që do të lejonin Maqedoninë që të hapte bisedimet për anëtarësim në BE pas qershorit 2019.

Rezoluta e miraton rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së që të hapin këto bisedime në qershor të vitit 2019. Në përputhje me qëndrimin e Aleancës për Shqiptarët gjatë fushatës për referendumin, Parlamenti Evropian e sheh hapjen e këtyre negociatave si mjet për të siguruar më shumë stimuj për demokratizimin dhe për të rritur kontrollin publik dhe llogaridhënien në vend.

Natyrisht, ky qëndrim i Parlamentit Evropian supozon se Maqedonia do të plotësojë një numër kushtesh të nevojshme, të vendosura tashmë nga shtetet anëtare të BE-së në Këshillin Evropian të 28 qershorit 2018.

Ndërkohë që Parlamenti Evropian vë në dukje se Maqedonia ka bërë njëfarë progresi në zbatimin e reformave që rrjedhin nga Marrëveshja e Përzhinos dhe Prioritetet të Reformave Urgjente të dala nga raporti Priebe, ai thekson se vendi vazhdon të ballafaqohet me probleme serioze, ndër të tjera, në gjyqësor, sundim të ligjit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, lirinë e mediave, reformën e administratës publike, ekonominë dhe punësimin.

Sa i përket reformës së administratës publike, Parlamenti Evropian shpreh shqetësimin e tij për mungesën e transparencës dhe të përfaqësimit të barabartë si dhe për mosrespektimin e rekrutimit të bazuar në merita për pozicionet në administratën publike, fenomene këto të cilat paraqesin elemente të reja të kapjes së shtetit nga qeveria e SDSM-BDI të denoncuara vazhdimisht nga Aleanca për Shqiptarët.

Në fushën e sundimit të ligjit, rezoluta e miratuar sot dënon edhe një herë në termat më të forta sulmin e 27 prillit 2017 mbi Parlamentin dhe kërkon që organizatorët dhe zbatuesit e krimit të sillen para drejtësisë. Parlamenti Evropian thekson që vendosja e llogaridhënies për këto akte duhet të bëhet në përputhje me ligjin dhe në mënyrë transparente, të pavarur dhe proporcionale, duke dërguar kështu një sinjal të qartë se amnistia nuk është një opsion për Brukselin.

Parlamenti Evropian thekson veç tjerash se korrupsioni mbetet shumë i përhapur në Maqedoni dhe shpreh shqetësimin e vet për numrin e vogël të dënimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke përfunduar kështu se ndërhyrja politike në gjyqësor dhe drejtësia selektive vazhdojnë të jenë probleme të rëndësishme në Maqedoni.
Rezoluta gjithashtu i bën thirrje Hungarisë që të ekstradojë Nikola Gruevskin në Maqedoni në mënyrë që ai të mbajë përgjegjësi për krimet e tij.

Parlamenti Evropian gjithashtu i bën thirrje Maqedonisë që të kryejë regjistrim e shumë vonuar të popullsisë për të siguruar të dhëna demografike të përditësuara dhe realiste në përputhje me standardet e BE-së, si bazë për programet zhvillimore të qeverisë dhe planifikim adekuat të buxhetit, organizimin i zgjedhjeve dhe llogaritjen e saktë të rezultateve zgjedhore. Në lidhje me këtë, rezoluta thekson nevojën për një rishikim urgjent të Kodit Zgjedhor. Pra, nga ky qëndrim është më se e qartë se regjistrimi i ardhshëm nuk mund të injorojë përkatësinë kombëtare të qytetarëve pasi që përfaqësimi i barabartë i komuniteteve është thelbi i projektit evropian për Maqedoninë që nga viti 2001 e tutje.

Së fundmi, rezoluta e miratuar sot në Bruksel mbështet plotësisht miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe shpreh keqardhje për taktikat sabotuese që synojnë të minojnë zbatimin e tij, pa
specifikuar se kush janë përgjegjësit e këtij sabotimi, gjë që duhet të lexohet si një mesazh i qartë drejtuar qeverisë LDSM-BDI.

Loading...