Avokati i ‘Burdushit’ komenton akuzat dhe veturat e konfiskuara

Shpërndaje

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Hysni Peçani, i njohur si “Burdushi”.

Pas ngritjes së aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren ndaj Hysni Peçanit, ka folur avokati i tij Asdren Hoxha.

Hoxha tha për ‘Kallxo’ se klienti i tij i cili po mbahet në Qendrën e mbajtjes në Prizren po akuzohet për pesë vepra penale.

“Aktvendimi është në drejtim të pesë veprave penale: fajde, mashtrim, armëmbajtje, ushtrim i paligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangie nga tatimi”, tha Hoxha.

Hoxha shtoi se në takimin me klientin e tij, ky i fundit ndjehet i pa fajshëm dhe i mohon të gjitha akuza pasi asnjëra nga to nuk qëndrojnë.

“Bisedova me klientin tim, ai i mohon të gjitha akuzat, pasi asnjëra nga to nuk qëndrojnë, nuk ka asnjë provë”, tha Hoxha.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren kanë bastisur sot shtëpinë e mjekut popullor i njohur në opinion si “Burdushi”.

Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij janë gjetur një armë e shkurtë dhe një e gjatë.

“Armët kanë qenë me leje të skaduar, do të thotë ka pasur leje për to”, tha Hoxha.

Ndërsa për veprën penale shmangie nga tatimi dhe ushtrim i paligjshëm i veprimtarisë mjekësore, Hoxha tha se nuk ka shmangie nga tatimit, pasi klienti tij paguan tatim dhe ka licencë për veprimtarinë e tij.

“Ka licencë, janë dokumentacione. Është bërë më shumë një bujë kundër tij sesa që ka fakte për këto vepra”, tha Hoxha.

Gjatë bastisjes së policisë, janë sekuestruar edhe 3 vetura në pronësi të Hysri Peçanit – ‘Burdushi’.

Avokati i tij, Asdren Hoxha thotë se dy nga veturat e sekuestruara janë të djemve të tij, ndërsa njëra është e tij.

“Ju kanë marrë pa asnjë arsyetim. Ai ka marrë kredi për këto vetura, ka prova për to, dihet ku i ka blerë por nuk dihet pse janë marrë”, thotë Hoxha.

Hoxha tha se ende nuk është caktuar se kur do të mbahet seanca ndaj klientit të tij, por i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Hysni Peçani.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, “Burdushi” akuzohet se nga data 20.06.2014 deri me 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, ose për t`i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e të dëmtuarit.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, në këtë proces i akuzuari “Burdushi ” si mjek popullor, merret vesh me tashmë të dëmtuarin që t`ia shërojë një anëtar të familjes që vuante nga depresioni.

Sipas aktakuzës, marrëveshja ishte që ‘Burdushi” ta shëronte anëtarin e tashmë të dëmtuarit sipas Prokurorisë në kompensim të një shume prej 2 mijë euro, por që pas kalimit të një kohe pacienti nuk ka shfaqur shenja shërimi. Dhe si rrjedhojë këtu i akuzuari ”Burdushi ”, të dëmtuarin e vë në lajthitje dhe mashtrim, duke i shkaktuar dëm material, theksohet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Me këtë sipas aktakuzës i njëjti ka kryer veprën penale të mashtrimit.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, për veprën penale të mashtrimit sikurse në aktakuzë, nëse gjatë gjykimit vërtetohen faktet se i njëjti ka kryer veprën penale si në aktakuzë, Kodi penal parasheh dënim me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

Loading...