Cilës parti i pengon që të faktorizohen shqiptarët në Maqedoni?!
Në vazhdën e debatit për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, nuk u pranuan edhe kërkesat e opozitës shqiptare për ndryshime shtesë kushtetuese, edhe atë, sipas kryeministrit Zaev nëse aprovohen këto kërkesa, do të hapet Kutia e Pandorës. Por, sipas opinionistëve politik, Robert Nesimi, Abdulla Mehmeti dhe profesorit universitar, Sefer Tahiri, partitë shqiptare duhet të bëjnë presion tek institucionet për avancimin e statusit të shqiptarëve, betejë kjo që nuk përfundon më 1 dhjetor të këtij vitit.
”Konsideroj se Maqedonia ndodhet në një udhëkryq të madh historik dhe fatmirësisht rrugëtimin e saj si duket do ta vazhdojë drejt struturave evroatlantike, me shpresë se do të sigurojë shtet juridik, zhvillimin demokratik dhe sistem më të mirë ekonomik. Në këtë kontekst ndryshimet kushtetuese janë vendimtare që ky rrugëtim të jetë më i lehtë në të ardhmen, ndryshime këto që i kushtohen korpusit të çështjeve që ndërlidhen me Marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë.
Fakti që në këtë spektër të ridizajnimit konstitucionalist të Maqedonisë nuk gjenden edhe ndryshimet e kërkuara nga opozita shqiptare, dëshmon se qeveria dhe shumica parlamentare gjithë fokusin e kanë tek integrimi i jashtëm dhe se integrimi i brendshëm do të presë ditë më të mira. Edhe pse partitë shqiptare nuk kanë as fuqinë politike, e asj konteksti gjeopolitik dhe gjeostrategjik ua mundëson këtë, nuk duhet të lejojnë të paktën që të drejtën e fituar me Ligjin për gjuhët të mos e jetësojnë për shkak të tekeve të presidentit Ivanov, por duhet të bëjnë presion tek organet legale dhe legjitime të Maqedonisë që një ligj të miratuar, në bazë të Kushtetutës të vihet në funksion dhe në anën tjetër duhet të bëjnë përpjekje më shumë për avancimin e statusit të shqiptarëve, betejë kjo që nuk përfundon më 1 dhjetor të këtij vitit”, thotë Sefer Tahiri për Infomagazin.
Ndryshe nga Sefer Tahiri, opinionisti për çështje politike, Robert Nesimi, fajëson LSDM-në për ngjarjet e fundit rreth ndryshimeve kushtetuese, madje Nesimi thotë se me vetëdije apo pavetëdije bie në kurth edhe faktori ndërkombëtar.
”Shqiptarët pa dyshim janë pjesa më pro-perendimore e popullatës në Maqedoni. Njëkohesisht ata një kohë të gjatë kanë antipati ndaj VMRO-së, për shkak të qëndrimeve të shpeshta të saj anti-shqiptare. LSDM po keqpërdor me të madhe të dy këto tendenca, qysh se ka ardhur në pushtet. Për fat të keq në kurthe të njëjta, me apo pa vetëdije, bie edhe bashkësia ndërkombëtare.
Në këtë drejtim duhet të lexohen edhe ngjarjet e fundit rreth ndryshimeve kushtetuese në vend. Duke e ditur që shqiptarët janë mëse të interesuar për integrimet euroatlantike dhe për të shkëputur vendin nga ndikimet ruse, merret si e sigurtë se ata do të votojne pro ndryshimeve kushtetuese pa kushte. Mu për këtë edhe nuk u varet shumë vesh kërkesave të opozitës shqiptare për barazi të plotë të shqiptarëve në kushtetutë. Pushtetareve ju duket më e rëndësishme pajtimi me VMRO-në, sepse fundja është ajo që po bën probleme”.
Nesimi më tej shton se LSDM dhe bashkësia ndërkombëtare dëgjojnë dhe respketojnë vetëm ata që ju bëjnë probleme, ndërkohë që shqiptarët i marrin si të garantuar.
”Mendoj se ka ardhur koha që shqiptarët të vlerësojnë se a ia vlen më të qëndrojnë heshtur dhe kooperativ për çdo gjë që ka të bëjë me eurointegrimet. Përderisa vlerësohen ata që bëhen pengesë, ndoshta duhet që edhe shqiptarët të fillojnë me kushtëzime”, vlerëson Nesimi.
Sipas opinionistit Abdulla Mehmeti, refuzimi i amendamenteve të partive opozitare shqiptare nuk është aspak e çuditshme, të cilat lidhen me statusin juridik-kushtetues të shqiptarëve si shtetformues.
”Nuk është aspak e çuditshme refuzimi i amendamenteve të partive opozitare shqiptare, të cilat kryesisht lidhen me dy çështje kyçe për shqiptarët në këtë shtet, rregullimi i statusit juridik-kushtetues i shqiptarëve si popull shtetformues dhe statusi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare e barabartë me gjuhën maqedonase, jo si gjuhë që e flasin mbi 20% e qytetarëve.
Duke e vlerësuar momentin e volitshëm, kjo çështje është inicuar disa muaj më parë nga Këshilli i Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni dhe për këtë janë njoftuar përmes dokumenteve të miratuara nga ky Këshill, si organet e pushtetit edhe faktori ndërkombëtar. Është arritje e madhe e një pjese të faktorit politik shqiptar që ka shprehur gatishmëri këto çështje t’i artikulojnë ashtu siç duhet dhe aty ku duhet, në Qeveri dhe Parlamentin e Maqedonisë, me hapjen e ndryshimeve kushtetuese që janë në vijim”, thekson Mehmeti.
Autor: Emir Hamzai