Deklarata e Kurz për vizat, alarm për institucionet në Kosovë

Shpërndaje

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, pas takimit me presidentin, Hashim Thaçi, në një konferencë për media tregoi se ka ende shtete të Bashkimit Evropian (BE), të cilat janë skeptike sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në lidhje me deklaratën e kancelarit austriak Kurz, është pajtuar edhe Demush Shasha nga Instituti Epik si dhe politologu, Musa Preteni.

Shasha theksoi se ky skepticizëm është i bazuar në atë se Kosova ende s’ka arritur të dëshmoj që është e storie e suksesit në fushën e sundimit të ligjit.

“Para Kosovës janë edhe gjashtë hapat e mbetur deri në lëvizjen e lirë. Deklaratën e kancelarit duhet ta marrim nga këndvështrimi i skepticizmit të disa vendeve, i cili është shfaqur në veçanti ditëve të fundit. Kosova ende s’ka arritur të dëshmoj se është storie e suksesit në fushën e sundimit të ligjit. Specifikisht në kuadër të 44 rasteve të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thotë Shasha.

Edhe politologu Musa Preteni, u shpreh se mesazhi i Kurz në Prishtinë, nuk është i rastësishëm.

Sipas tij, institucionet e Kosovës në këtë afat kohor duhet të rrisin nivelin lobues tek vendet e BE-së, që kanë paraqitur skepticizëm ndaj Kosovës për liberalizim të vizave.

“Deklarata e kancelarit austriak në Prishtinë në lidhje me liberalizimin e vizave është më pajtim të plotë edhe me deklaratat e mëhershme të zyrtarëve të BE-së dhe vendeve të fuqishme evropiane se ka skepticizëm sa i përket kësaj çështje. Unë mendoj se mesazhi i Kurz nuk është i rastësishëm dhe institucionet e Kosovës duhet ta marrin shumë seriozisht që në këtë afat kohor që ka mbetur të rritet niveli lobues tek këto vende”, ka thënë Preteni.

Ai shtoi se alarmi duhet t’i prek të gjitha institucionet, në mënyrë që të lobojnë intensivisht tek vendet skeptike të BE-sa.

Loading...