Denoncuesi i përgjimeve dëshmoi se si jepte urdhrat Mijallkov (Video)

Shpërndaje

Gjorgji Llazarevski, dëshmitari kryesor në rastin Target-Fortesa që filloi sot, i rrëfeu gjykatës se si ka hyrë në sistem dhe si i ka vjedhur të dhënat për përgjimin ilegal. Llazarevski tha se gjithçka kishte filluar prej kur kishte ardhur udhëheqësia e re në DSK, në krye me Sasho Mijallkovin. Mijallkov e kishte degraduar Llazarevskin nga posti i eprorit të Drejtorisë së Pesë, në analist fillestar, dhe në vendin e tij e kishin vendosur Goran Grujovskin.

Kur kishte dalë në vendin e ri të punës, ai kishte filluar të nuhasë keqpërdorimet që po bëheshin disa centimetra larg tij, në sistem i cili ishte vendosur në të njëjtën hapësirë ku ai po punonte. Llazarevski shpjegoi se dy sisteme ishin vendosur në një dhomë në ndërtesën e Byrosë për Siguri publike. Sistemin e tij dhe sistemit “Vernit” që përdorej për përgjim dhe ishte hequr prej funksioni në fund të vitit 2008, i ndante vetëm një paravan.

“Prej vitit 2006 e deri në vitin 2008 kam vërejtur keqpërdorimin por nuk mund të them saktë se kur më erdhi ideja për të kontrolluar se çfarë bëhet në atë sistem. Diku kah fundi i vitit 2008, lëshova një kabllo prej kompjuterit tim te kompjuteri afër meje ku kontrollohej sistemi “Vernit”, dhe hyra me fjalëkalimin që e dija prej kur isha epror. Nxorra të dhënat për të gjithë personat që merrnin pjesë në përgjim dhe transkriptim të bisedave”

Llazarevski shpjegoi se në vendin ku bëhej përgjimi, deri në një kohë të caktuar nuk kishte pasur ndonjë rregull për ndalesë të hyrjes së personave të paautorizuar në njërën ose anën tjetër të paravanit pasi ishte hapësirë e përbashkët që shfrytëzohej vetëm sipas nevojës. Për shkak të klimës specifike që nevojitej për pajisjet e përgjimit, aty të punësuarit nuk qëndronin gjatë.

“Eprori im jozyrtar Nebojsha Stajkoviç, zakonisht e mbante çelësin e dhomës ose më tregonte se kush e ka, dhe kështu hyja në dhomën e përgjimit. Ne atë dhomë nuk ka vazhdimisht njerëz që punojnë, shpesh është e zbrazët pasi ka një klimatizim specifik që nuk është i mirë për njerëzit. Prandaj nuk preferohet të rrijë dikush aty. Shfrytëzimi i sistemit nuk bëhej më shumë se 15 minuta, për punë rutine. Unë nuk takohesha më të punësuarit e tjerë shumë, prandaj nuk e di se sa kanë qëndruar ata aty”

Siç shpjegoi Llazarevski, vendimi për përgjim merrej vetëm me një letër shabllon të nënshkruar nga drejtori i DSK-së pas gjoja koordinimi me ministrin e brendshëm. Informatat që merreshin me përgjimin ilegal, thuhej që jan marrë nga hulumtimet operative në terren në mënyrë që të kamuflohet përgjimi ilegal. Filtri për atë se çfarë bisedash duhet përgjuar ishte bërë me vlerësim të lirë të shërbimeve të sigurisë që hiqnin bisedat private koti nga lista ndërsa merrnin shënime të sakta nga bisedat interesante.

Pas vitit 2008, kur ishte blerë një sistem i ri i përgjimit ku Gjorgji Llazarevski më nuk kishte qasje, kompjimin e materialeve të përgjimit e kishte vazhduar Xvonko Kostovski i cili hapur i kishte treguar Llazarevskit se nuk ka kush që nuk përgjohet. Ishin përgjuar fytyra të shumta publike, politikanë të opozitës, gazetarë, por edhe ministra nga Qeveria e kaluar, dhe gjithë kjo me urdhër të Sasho Mijallkovit. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

Loading...