Deputetët e përjashtuar nga VMRO-ja arrijnë marrëveshje për amendamentet kushtetuese
Tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së të përjashtuar nga partia për shkak se kanë votuar për ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë ratifikimit të marrëveshjes me Greqinë, kanë arritur marrëveshje me Kryeministrin Zoran Zaev në lidhje me projekt – amendamentet për ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë, raporton Zëri i Amerikës.
Kërsto Mukovski, njëri prej tetë deputetëve të përjashtuar nga VMRO-ja u tha gazetarëve se nga kryeministri Zaev kanë marrë garanci se Qeveria do t’i pranojë propozimet e tyre në lidhje me amendamentet.
Në takim është biseduar edhe për formimin e një komiteti që do të veprojë për pajtimin ose faljen e personave që e sulmuan parlamentin më 27 prill të vitit të kaluar.
Por, autoritetet janë të prera se në lidhje me këtë nuk do të ketë amnisti, duke lënë kështu hapsirë për spekulime për drejtësi selektive, pasi përfaqësues të VMRO-së të akuzuar për ngjarjet e dhunshme në Kuvend mund të falen, por jo edhe persona të tjerë.
Tetë ligjvënësit opozitarë, të cilët votuan fillimisht vendimin për ndryshime të kushtetutës kishin bparashtruar edhe disa kushte të tjera, përveç kërkesës për pajtim ose falje. Ndër kushtet e tyre ishte që Kuvendi i Maqedonisë të mund të anulonte ndryshimimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të vendit, nëse parlamenti grek nuk do ta ratifikojë Marrëveshjen e Prespës. (r.m.)