Integrimi, Qeveria e Maqedonisë prezantoi “Planin 18”

Shpërndaje

Qeveria, përmes strategjisë së re për vazhdimin e reformave të quajtur “Plani 18”, synon afrimin me legjislaturën e vendeve anëtare të BE-së, zbatimin e reformave të Pribesë, rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe Raporteve të Progresit. Kështu u tha në takimin formal me gazetarët ku u prezantuan hapat e ardhshëm të ekzekutivit në këtë drejtim.

Jemi të bindur se Evropa na ndjek dhe sytë e saj do të jenë të kthyer nga Maqedonia për atë që bëjmë. Por ne këtë që e bëjmë, e bëjmë edhe për nevojat e qytetarëve që të kenë institucione profesionale, barazi para institucioneve të sistemit, sundim të së drejtës, ligji të vlejë njëjtë për të gjithë, monitorim të punës para së gjithash të pushtetit ekzekutiv se si harxhohen paratë publike përmes anti-korrupsionit, etj- tha Zaev.

Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska tha se ndryshimet në ligjin për gjykatës i cili si draft tashmë është në duart e grupeve parlamentare, do të mundësojë filtrimin e gjykatësve dhe përgjegjësinë disciplinore të tyre, gjë që ka qenë kërkesë e Komisionit të Venecias. Deskoska tha se në këtë periudhë të reforma është e nevojshme gjetja e një zgjidhje për punën e Prokurorisë Speciale e cila tashmë një vit e gjysmë e ka të pamundur ligjërisht të procedojë aktpadi.

Përcaktimi jonë si qeveri dhe atë që na është dhënë si detyrë për definimin e statusit të Prokurorisë Speciale është që Prokuroria Speciale të transformohet në organ të përhershëm i cili do të merret me ndjekjen e veprave penale lidhur me korrupsion të lartë ose korrupsion nga funksionarë të lartë shtetëror- deklaroi Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.

Reformat e planifikuara në shërbimet e sigurisë dhe kundërzbulimit, sipas ministrit Oliver Spasovski, do t’i prezantohen opinionit nga mesi i muajit. Ndër reformat tjera në MPB njoftohet rritje e kapaciteteve për hetime financiare dhe për konfiskim të pronës. Spasovski pret që në 2019-tën shteti t’i ketë përforcuar dukshëm këto kapacitete.

Kemi formuar grup pune ndër-resor i cili duhet të ofrojë modele më të përshtatshme për reforma, para së gjithash në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, Agjencinë e Inteligjencës dhe Shërbimin Ushtarak të Kundërzbulimit. Aktualisht ka debat publik dhe deri në 15 nëntor para Qeverisë duhet të dal me propozim-model i cili do të diskutohet në Qeveri dhe do të sillet vendim se cili model më shumë përshtatet me vendin tonë- tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Ministri i Administatës Damjan Mançevski u zotua në zbatim të plotë të analizës tashmë të prezantuar horizontale dhe funksionale në administarën publike.

Qëllimi është që aty ku analiza të tregojë se institucione të caktuara duhet të shfuqizohen, të shfuqizohe; se institucione të caktuara duhet të bashkohen me institucione të tjera, të bashkohen; se më shumë institucione duhet të bashkohen në një të vetëm, të bashkohen; se institucione të caktuara për të cilat analiza do të tregojë se mungojnë, të formohen, edhe pse këto do të jenë raste më ekstreme. Por në pjesën më të madhe kjo do të nënkuptojë optimizim të tërësishëm të sektorit publik veçanërisht në pjesën e strukturave menaxhuese- tha Damjan Mançevski, ministër i Administratës.

Zv.kryeministri Bujar Osmani tha se në strategjinë e re janë parashikuar mekanizma për ndjekjen e këtyre masave deri në zbatimin e plotë të tyre në praktikë.

Nëse do të konkretizohet me të dhëna konkrete ajo do të duhet të shënohet në plan dhe duhet të prezantohet edhe para sistemit por edhe para komunitetit ndërkombëtar përfshirë këtu edhe Komisionin Evropian për shkak se ata janë të interesuar jo vetëm për ligjet që ne i miratojmë por edhe a po ndryshon dhe a po transformohet. Esenca e kësaj reforme nuk është vetëm që të evidentojmë disa masa në letër por të transformojmë shoqërinë në interes të qytetarëve – tha ne fund Bujar Osmani, zv.kryeministër .

Pushteti e konsideroi të suksesshëm dhe plotësisht të zbatuar planin paraprak për reforma të quajtur “3-6-9”, duke llogaritur vetëm miratimin e tyre në qeveri dhe duke e lënë në dorë të instituconeve të tjera zbatimin e plotë të këtyre masave. Një pjesë e reformave të planit “3-6-9” akoma nuk kanë gjetur zbatim në praktikë./Alsat/

Loading...