KOMENT/ A u frikësua Zaevi ta burgosë Gruevskin!

Shpërndaje

Ikja e ish kryeministrit Nikolla Gruevski drejt Hungarisë pa pasaportë dhe vetë mënyra se si ai njoftoi gjithë botën nëpërmjet profilit të tij në Facebook, i la shije të keqe kryeministrit Zaev, i cili në studion e televioznit publik “live” fliste për ekonomi dhe shprehej se nuk beson se Gruevski është i atij niveli që mund të ikte.

Është sikur shprehja “unë bëja se po iki dhe ai bënte sikur po më kapte”, në fund të fundit “ujku i ngopur dhe delet në numër”!

Por, në fakt shtrohet pyetja se pse po ndodhte një teatër i tillë?

Përderisa policia e shoqëruar me gazetarë kërkonte derë më derë se ku është Gruevski, në opinionin publik krijoheh bindja se qeveria e paska kësaj radhe me gjithë mend që ta arrestojë Gruevskin, por nga ana tjetër fshehurazi atij iu hap “shtegu i gardhit” të ikë pa një gjemb në këmbë.

Edhe pse Zaevi erdhi në pushtet pikërisht me moton se do t’i bëjë të paguajnë ata që e dëmtuan shtetin dhe do ta çrronjosë regjimin e Gruevskit dhe vetë të parin që e krijoi këtë regjim, sërish në momentin më delikat ai mbylli sytë dhe lejoi që “gjahu” t’i ikë nga nishani i tij.

A ishte kjo shenjë dobësie e tij, apo një mashtrim ndaj qytetarëve që i besuan dhe tradhëti ndaj faktorit ndërkombëtar që e mbështetën atë deri tani?

Vetë mënyra se si institucionet luanin si “maca me miun” dhe arsyetimet e sotme se askush nuk merr përgjegjësinë, duke ia hedhur fajin njëri tjetrit, dëshmon se Zaevi u frikësua ta arrestojë Gruevskin për disa arsye:

1. Frika nga eskalimi i situatës (Zaevi frikësohej se populli dhe simpatizantët e Gruevskit, nëse ky i fundit do t’iu bënte një thirrje, mund të shkaktonin protesta dhe për pasojë të bllokoheshin shumë procese).

2. Pajtimi me opozitën maqedonase dhe kërkesat e mbështetjes për të votuar ndryshimet Kushtetuese. (Zaev ka kërkuar të pajtohet me opozitën dhe në këtë mënyrë të zbusë klimën e tensionuar tek populli maqedonas ndaj Marrëveshjes që ky e ka bërë me palën greke për çështjen e emrit).

3. Spastrim në gjyqësor (Vetë arsyetimet e funskionarëve të lartë të qeverisë gjatë ditës së sotme, tregojnë se pritet spastrim rrënjësor në sistemin e drejtësisë dhe për këtë u duhej një preteks).

Por, mënyra se si u la të ikte Gruevski është gabim trashanik.

Ky veprim ka zbehur besimin e ndërkombëtarëve që deri tani ia dhanë Zaevit, e kjo duket qartë nga mosreagimi i ambasadave perëndimore në vend që zakonisht kanë koment për çdo aktivitet politik në Maqedoni.

Ikja e Gruevskit e zhgënjeu popullin që e votoi atë, faktorin ndërkombëtar dhe ia nxiu imazhin Maqedonisë në rrafshin ndërkombëtar! E gjitha kjo si dobësi e qeverisë!

Loading...