Koncepti i shtetit njënacional të Maqedonisë Veriore është kundërhistorik dhe paraqet presedan sipas të drejtës ndërkombëtare

Shpërndaje

Nga, Abdulla Mehmeti

Mosnjohja e realitetit historik dhe mospranimi i realitetit aktual e rrezikojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, stabilitetin e shtetit dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë Veriore.

Edhe Qeveria aktuale e Maqedonisë Veriore e ka humbur kompasin dhe arsyen e gjykimit të shëndoshë, të veprimit të guximshën, të përgjegjshëm dhe në kohë, si nga presioni i brendshëm ashtu dhe nga ndikimet e jashtme; nga faktori ndërkombëtar, i cili përpiqet vetëm për sigurimin e paqes dhe stabilitet në rajon; nga faktorët politikë të brendshëm, të cilët kërkojnë ta ruajnë ndikimin e tyre në qeverisjen e vendit, më tepër për interesa të huaja se për interesa të shtetit të tyre; nga shtetet fqinje, të cilave asnjëherë nuk u ka konvenuar një Maqedoni e pavarur, shtet sovran dhe i lirë; por edhe nga kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar, të cilat kurrë nuk i kaptuar pushteti i këtij shteti si të drejta dhe qëllimmira, në interes të ruajtjes dhe forcimit të shtetit, të vlerave demokratike, të stabilitetit dhe prosperitetit të shtetit, por si „kërcënim“ për shtetin dhe sidomos për identitetin e popullit maqedonas.

Nga të gjitha këto presione, vetëm „presioni“ i palës shqiptare është i arsyeshëm, sepse lidhet me idenë e ruajtjes dhe forcimit të këtij shteti, por edhe me njohjen dhe pranimin e të drejtës për vetëpërcaktim të popullit sllav të Maqedonis si maqedonas, për ruajtjen e identitetit të tij të kërcënuar hapur apo fshehur nga shtetet fqinje.

Përderisa këtë vullnet dhe qëllim dashamirës të palës shqiptare nuk e kuptojnë drejtë udhëheqësit e shtetit të Maqedonisë Veriore, ky shtet do të mbetet për gjatë kohë në këtë gjendje; në krizë politike dhe ekonomike të vazhdueshme, me stabilitet dhe paqe të brishtë, i kërcënuar nga qendra të ndryshme jashtë vendit, të cilat nuk ia duan të mirën shtetit të Maqedonisë dhe as banorëve të saj, pavarësisht nga përkatësi kombëtare, konfesionale, veçoritë kulturore, gjuhësore dhe identiteti i tyre.

Të frymëzuar nga propaganda e huaj, literatura e stërmbushur me të pavërteta historike, shtrembërime dhe falsifikime, siç duket edhe për gjatë kohë nga elitat politike dhe intelektuale maqedonase, por edhe nga një pjesë e atyre shqiptare, nuk do të jenë në gjendje ta kuptojnë dhe pranojnë këtë realitet, me këtë qasje duke e rrezikuar të ardhmen e shtetit dhe identitetin e popullit që i takojnë, pa qenë të vetëdijshëm se shqiptarët në Maqedoni janë popull autokton, se i takojnë një kombi të fuqishëm prej së paku 30 milionë, i cili ka identitet të formuar ndër mijëvjeçarë, se shqiptarët nuk i takojnë një populli-kombi politik, por janë popull me identitet të lashtë dhe i takojnë një kulture e cila qëndron në vetë themelet e qytetërimit evropian dhe botëror, dhe se shqiptarët pavarësisht nga elitat e sotme politike që e udhëheqin atë, ka potencial të pashtershëm për mbijetesë, për ringritje dhe përtëritje, e që nuk e ka populli maqedonas, për shkak të përkatësisë së tij sllave, i cili lehtë mund të katandiset, asimilohet dhe shkrihet nga fqinjët e tij sllavë dhe të besimit ortodoks.

Shqiptarët janë popull paqësor, dashamirë, fqinjëdashës, që e kanë mirëkuptuar përherë gjendjen dhe pozitën edhe të fqinjëve të tyre maqedonas, në përpjekjet e tij përgjatë shekullit të fundit për ta krijuar identitetin e tij të veçantë, ashtu siç ata kanë dëshiruar të vetëpërcaktohen. Por, shqiptarët këtë dashamirësi e kanë paguar shpeshherë me mosmirënjohje, refuzime, përbuzje dhe ofendime. Por, kjo nuk do të jetë kështu përherë, sidomos në kohët e turbullta që vijnë me procesin e globalizmit, të pafavorshme për ruajtjen e identiteteve të popujve të vegjël, siç është edhe populli maqedonas.

Konkurrenca e madhe mes popujve, kulturave dhe gjuhëve, si dhe ndikimet e fuqishme në procesin e globalizmit dhe të integrimeve globale, do të krijojnë nevojën për kërkimfalje, për mbështetje, zgjatje dore dhe ndihmë për maqedonasit nga shqiptarët, dhe kjo kohë nuk do të jetë e largët. Nuk shpresoj që shqiptarët pafundësisht dhe pa kushte do t’ua zgjatin dorën fqinjëve të tyre maqedonas, të cilët sa herë kanë pasur qëllime dashamirëse ndaj tyre, elitat politike dhe intelektuale maqedonase, të ndikuara sidomos nga qarqet e jashtme sllave dhe ortodokse, kurrë nuk ia kanë dashur të mirën popullit shqiptar, me këtë edhe shtetit të përbashkët të Maqedonisë, në rrugën e tij të zhvillimit dhe progresit, përkrah shteteve të tjerë të rajonit me orientim demokratik dhe evropian!

 

(11.XI.2018)

Loading...