Mançevski: S’ka punësime nëpërmjet SIOFA-s

Shpërndaje

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski nuk jep detaje se deri ku është procesi i komplikuar i sistematizimit të administratorëve të punësuar përmes Marrëveshjes së Ohrit, me arsyetimin se kjo pyetje duhet drejtuar në adresë të Sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Mançevski vetëm tha se nuk do të ketë punësime të reja në kuadër të kriterit për përfaqësim të drejtë sipas Marrëveshjes së Ohrit.

Tani do të vendosen në Listën e transferim dhe për ta vlejnë të njëjtat rregulla si për të gjithë. Nëse nuk ka institucione të interesuara për to në një periudhë të caktuar kohore, në përputhje me ligjin, kontrata e tyre do të ndërpritet. Të më falni por Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është vendi ku do të ju japin të dhëna konkrete. Ajo që mund të ju them unë është se punësime të këtilla në vitin 2019 nuk do të ketë”- u shpreh Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Ai tha se është akoma është herët të flitet se sa administratorë do të humbin vendin aktual të punës, për shkak të riorganizimit të administratës, me ç’rast disa institucione do të bashkohen e të tjera do të shfuqizohen. Gjatë prezantimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, Mançevski konfirmoi se pjesa më e madhe e buxhetit prej 1,5 miliard denarësh do t’i ndahet Radio Televizionit të Maqedonisë.

Edhe këtë vit ashtu si dhe vitin e kaluar pjesa më e madhe e parave, respektivisht 1 miliard e 200 milion denar do të shkojnë për financimin e Radio Televizionit të Maqedonisë, Radiodifuzionit të Maqedonisë dhe Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale. Tani ata kanë mundësi në mënyrë afatgjate ta planifikojnë punën dhe programin e tyre, kanë politikë redaktuese autonome dhe të pavarur”- u shpreh Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Ministri i Administratës u zotua se 2019-ta do të jetë vit i realizimit të reformave në administratë, për të cilën nga dikasteri që drejton ndahen vetëm 66 milion denarë, ndërsa shpenzimet tjera do të mbulohen kryesisht me ndihmën e BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Në kuadër të modernizimit, respektivisht digjitalizimit të administratës Mançevski paralajmëron lancimin e Portalit nacional për shërbime elektronike, Regjistrin elektronik të popullsisë dhe hapjen e pikave të shërbimit në disa qytete, ku qytetarët do të mund të marrin shërbimet që iu duhen./Alsat-M/

Loading...