Mbi diktatorët e vegjël me dosje të mëdha hajdutërie

Shpërndaje

Nga, Abdulla Mehmeti

Ata që i rekrutojnë, i përgatitin dhe sjellin në pushtet kryeministrat, presidentët, ndonjë ministër apo shef të shërbimeve sekrete në disa shtete satelitë, nuk interesohen asnjëherë për shtet demokratik dhe ligjor, për shkeljen e të drejtave të njeriut, për mënyrën e qeverisjes në ato shtete, por për kapitalin që akumulojnë këta pushtetarë vasalë, për resurset që ua venë në dispozicion këtyre shërbimeve, për shumat e parave që i vjedhin dhe me ndihmën e tyre i nxjerrin jashtë shtetit.

A ju kujtohet që Nikolla Gruevski, para se të zgjidhet si kryeministër i Maqedonisë, ka shërbyer një kohë të gjatë kinse si „këshilltar“ në qeverinë e Serbisë? A keni dëgjuar sa para janë vjedhur pastaj në Maqedoni, gjatë qeverisjes së tij?

Nëse ky alamet politikani ka arritur të vjedhë me bashkëpunëtorët e tij mbi 6 miliardë euro, e radhmja e jetës së tij është skicuar në detaje. Ai edhe mund të largohet nga pushteti, të dënohet, të kërcënohet, të burgoset apo të aratiset, por koka e tij dhe dora për të nënshkruar peshon rëndë dhe mbrohet me shumë kujdes pikërisht nga ata që e kanë sjellë dhe mbajtur në pushtet, për aq kohë sa u është dashur atyre.

Sadam Huseini, Gadafi, Millosheviqi, janë vetëm disa nga modelet e këtyre skenarëve të përgatitur dhe zbatuar me kujdes nga shërbimet e njëjta apo të ngjashme. Ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski dhe kompania e tij, janë vetëm një eksperiment i vogël me përfitime të mëdha në këto lojëra të shërbimeve të huaja sekrete.

(12.XI.2018)

Loading...