Mickoski: Ngrirja e pasurisë, 6 muaj para zgjedhjeve (VIDEO)

Shpërndaje

Përndjekje politike gjashtë muaj para zgjedhjeve. Kështu e cilëson vendimin për ngrirjen e pronës së partisë, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Kreu i opozitës në emisionin “Rruga drejt” në Alsat tha se në një situatë të tillë opozita nuk mund të përgatitet për fushatën parazgjedhore pavarësisht nëse me zgjedhjet presidenciale do të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Megjithatë, Mickoski nuk saktësoi nëse paralajmërimi i tij për shitjen e selisë qendrore është për shkak se partia ka mungesë të parave.

Do të përpiqemi ti racionalizojmë shpenzimet. Është e logjikshme kur shihni se keni vështirësi me likuiditetin, është e logjikshme që të përpiqeni ti racionalizoni kostot dhe atë procedurë ose proces të racionalizimit të atyre kostove kemi vendosur që VMRO-DPMNE, lidhur me selinë qendrore të partisë, ose ta shesim nëse marrim një ofertë të përshtatshme ose ta japim me qira” – tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së

Kreu i opozitës nuk pajtohet me vlerësimet e Prokurorisë Speciale se Pallati i Bardhë kushton 14 milion euro. Pasuritë e mbetura, kullotat, selitë, apartamentet vlejnë 3.5 milion euro. Mickoski refuzoi të përgjigjet nëse për shkak të mungesës së parave, në janar të këtij viti e shiti banesën në pronësi të partisë në lagjen Kisella Vodë.

Nuk kemi nevojë për para për luks, por kemi nevojë për të fonde që të funksionojmë normalisht dhe t’i reduktojmë shpenzimet”. – u shpreh Hristian Mickoski- kryetar i VMRO DPMNE-së

Gjykata pronën e VMRO DPMNE-së e ngriu dje. Vendimin e publikoi Prokuroria Speciale me arsyetimin se për dy arsye “Pallati i Bardhë” dhe 68 objekte të tjera kanë ndalesë gjyqësore që të shiten apo jepen me qira. E para është pikërisht paralajmërimi i liderit se ekziston mundësia që selia qendrore të shitet apo të jepet me qira dhe vendimi që partia të shesë banesë në Kisella Vodë në fillim të vitit. Specialja në rastin “Talir” është duke hetuar në çfarë mënyre vitet e kaluar është financuar partia dhe pikërisht këto dy vendime kanë qenë pikënisja që të kërkojnë gjykata të ngrijë pronën që mos të shitet përderisa vazhdon hetimi. Për rastin “Talir”, PSP dyshon 14 persona për pastrimin e e parave dhe financim ilegal të partisë. Në mesin e tyre është edhe ish lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski./alsat/

Loading...