“Mos më quaj 20%, unë jam shqiptar”, fushata përplasë partitë (Video)

Shpërndaje

Ky është animacioni i fundit që mund ta ngjisni në foton tuaj të profilit në Facebook Qytetarët shqiptarë në Maqedoni kanë nisur një fushatë në rrjetet sociale, “Mos më quaj 20%, unë jam shqiptar”. Qëllim është ndërgjegjësimi i klasës politike që shqiptarët në Maqedoni të njihen si element shtet-formues dhe jo si përqindje.

Fushata në Facebook gjithashtu synon edhe zëvendësimin e termave në kushtetuetë, në pjesët ku thuhet “gjuha e bashkësisë etnike mbi 20%” dhe në vend të saj të jetë “gjuha shqipe”.

Por revolta qytetare nuk është thjeshtë virtuale. Edhe në anketën tonë me qytetarët, ata shprehen në të njëjtën mënyrë. Madje ata kërkojnë edhe regjistrim të popullsisë.

“Ne jemi të ofenduar me 20% se nuk jemi ne 20% por jemi 40% në Maqedoni. Ajo marrëveshje është bërë para 15 viteve. Tani po punohet për ndryshimet kushtetuese, duhet të jemi 40 % e jo 20%. Unë ndihem këtu i ofenduar. Por fjalën e fundit sërish pa na pyetur neve e japin politikanët. Ata duhet ta dëgjojnë zërin e popullit”, tha Qytetari.

“Komenti im është, patjetër të bëhet regjistrimi në vend siç duhet. Më pas të vendoset diçka. Sa i përket Marrëveshjes së Ohrit, në preambulë është thjeshtë një marketing politik i politikanëve”, u shprehën Qytetarët.

Partia shqiptare në pushtet BDI, këtë fushatë e quan të Aleancës për Shqiptarët.

“Patetike dhe manipulative, përpjekje faktorizimi me mashtrim episodik dhe mungesë sinqeriteti ndaj votuesve. Këta “protagonistë të vonuar” kanë patur rastin për ta dëshmuar veten në shume zhvillime historike, por janë strukur të dështuar. Në mes të janarit të vitit të ardhshëm, qytetarët dhe votuesit e tyre do të zbulojnë mashtrimin e këtyre aventurierëve të rastisur në politikë”, thanë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Aleanca për Shqiptarët përkrah këtë fushatë , ku thonë se është realitet legjitim dhe faktik , sepse shqiptarët më të drejtë duan të trajtohen si popull dhe si komb në Kushtetutë.

“ASH e përkrah fushatën “Mos më thuaj 20 % sepse jam shqiptar” e cila si duket ka filluar spontanisht në kuadër të ndryshimeve kushtetuese sepse kjo fushatë sensibilizuese përkon me një realitet legjitim dhe faktik, sepse shqiptarët më të drejtë duan të trajtohen si popull dhe si komb në Kushtetutë.

Asnjë Kushtetutë e shteteve të BE dhe NATO, nuk bën selektim ndaj qytetarëve të saj, është diskriminuese përderisa maqedonasit të trajtohen në Kushtetutë si maqedonas, ndërsa shqiptarët si popullatë mbi 20 %. BDI e ka shansin historik ta korrigjojë këtë gabim historik duke i përkrahur amendamentet që ASH do t’i parashtrojë në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, që Gjuha Shqipe dhe kombësia shqiptare të jenë kategori kushtetuese në RM”, u shprehën nga Aleanca për Shqiptarët.

Debati për 20 përqindëshin filloi pas votimit të nevojës për ndryshimet kushtetuese në Kuvend. Tani është faza e dytë e propozimit të amendamenteve për të kaluar më pas në diskutim publik. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ka caktuar seancën plenare me 1 dhjetor për ndryshimet kushtetuese. Kurse me 7 nëntor, do të jetë komisioni për rishqyrtimin e amendamenteve.

Loading...