Ndryshimet e reja kushtetuese, siç i propozon qeveria, janë në kundërshtim me interesat e popullit shqiptar dhe orientimin evropian të Maqedonisë

Shpërndaje

Nga, Abdulla Mehmeti

Ndryshimet e reja kushtetuese në Maqedoni, të pamatura dhe të planifikuara gabimisht, janë në kundështim me realitetin historik dhe aktual të vendit, i dëmtojnë interesat kombëtare të shqiptarëve dhe perspektivën e tyre në këtë shtet, si dhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë.

Partitë politike të shqiptarëve dhe pushteti aktual në Maqedoni, para se të vendosin për ndryshimet e reja kushtetuese me të cilat planifikohet që shqiptarëve t’u betonohet statusi i pakicës kombëtare me Kushtetutë, duhet t’u japin përgjigje publike qytetarëve shqiptarëve, opinionit vendës dhe faktorit ndërkombëtar, së paku për këto çështje:

1. Pse duhet të degradohet statusi juridik-kushtetues dhe politik i popullit shqiptar, të cilin shqiptarët e kanë pasur të garantuar edhe me kushtetutën e vitit 1974, kur kjo është në kundërshtim edhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare?

2. Pse duhet të trajtohen shqiptarët si pakicë kombëtare, kur ata janë popull i vetëm autokton, jetojnë në vazhdimësi historike dhe gjeografike në trojet e veta etnike në Maqedoni, përbëjnë shumicë të konsiderueshme dhe kanë kontribuar për çlirimin, krijim dhe ndërtimin e këtij shteti, ndoshta edhe më tepër se popujt tjerë?

3. Pse gjuha shqipe nuk mund të jetë zyrtare në Maqedoni, por gjuhë e qytetarëve prej 20%, e qytetarëve numër, përqindje dhe pa identitet?

4. Pse flamuri kombëtar shqiptar në Maqedoni, që me ligj ka qenë i rregulluar përdorimi i tij që nga viti 1973, nuk mund të përdoret lirisht nga qytetrët shqiptarë të këtij shteti ku ata nuk përbëjnë shumicë mbi 50% dhe, pse madhësi e këtij flamuri është zvogëluar me ligj për 1/3 e tij, e që përbën presedan të llojit të veçantë në të drejtën ndërkombëtare dhe traditat demokratike evropiane?

5. Pse simbolet e shtetit të përbashkët të Maqedonisë, himni, stema dhe flamuri shtetëror, nuk e pasqyrojnë realitetin shumetnik, shumkonfesional dhe shumëgjuhësor të këtij shteti?

6. Pse duhet t’u imponohet edhe shqiptarëve në Maqedoni që t’i përmbushin detyrimet e qeverisë së këtij shteti ndaj Marrëveshjes për bashkëpunim, mirëkuptim dhe fqinjësi të mirë me Bullgarinë, si dhe ndaj Marrëveshjes së Prespër me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit, me të cilat marrëveshje trajtohen çështje për rishqyrtimin e historisë, të gjuhës, kulturës dhe identitetit të popullit maqedonas, dhe që me asgjë nuk kanë lidhje me historinë, autoktoninë, kulturën, gjuhën dhe veçoritë kombëtare të popullit shqiptar në Maqedoni?

7. Pse deri më sot, me asnjë akt, deklaratë zyrtare, pushteti në Maqedoni nuk u ka kërkuar së paku falje shqiptarëve, nuk është distancuar nga e kaluara e turpshme dhe armiqësore, nga krimet dhe gjenocidi i ushtruar nga ish regjimet mbi shqiptarët në Maqedoni?

8. Pse pushteti aktual në Maqedoni, për t’i sunduar më lehtë shqiptarët, vazhdimisht përkrah, avancon dhe mban në pushtet, individë, grupe dhe klane politike të komprometuara, të dyshuara për korrupsion dhe krime, individë dhe grupe me të kaluar komuniste, përderisa ai regjim është dënuar së paku me dy rezoluta nga Kësgilli i Evropës, si regjim i cil ka kryer krime kundër njerëzimit, sikurse edhe regjimi fashist?

9. Pse në njësitet speciale të ushtrisë dhe policisë, të cilat financohen edhe me paratë e qytetarëve shqiptarë, nuk mund të përfaqësohen në mënyrë të drejtë, të barabartë, proporcionale dhe adekuate, ndërkohë që po këto njësi janë përdorur shpeshherë që nga pavarësimi i këtij shteti, në të gjitha proceset e montuara politike ndaj shqiptarëve dhe në të gjitha ekspeditat policore dhe ushtarake ndëshkuese ndaj shqiptarëve, për shuarjen dhe dhunë e hekur të përpjekjeve të popullit shqiptar për liri dhe barazi, për të drejta kombëtare, për përdorimin e flamurit kombëtar, për të drejtën e arsimimit universitar në gjuhën amtare dhe të drejta të tjera qytetare e kombëtare?

10. Pse qytetarët shqiptarë përherë janë trajtuar si njerëz të dyshimtë nga të gjitha pushtetet e derisotme, si „armiq“ të shtetit, dhe si të tillë nuk u lejohet inkuadrimi dhe përfaqësimi i drejtë i tyre në Entin Shtetëror të Statistikës, në disa sektorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në institucione të tjera ku bëhen planifikime strategjike dhe zhvillimore në interes të qytetarëve dhe të shtetit?

11. Pse vetëm në Maqedoni, krimet, vrasjet, helmimet (helmimi masiv i nxënësve të shkollave të mesme, helmimi me mbetje radioaktive nga kombinati Jugohrom etj.), burgosjet me procese të montuara politike, torturat dhe shpërnguljen në masë të shqiptarëve vendës (më herët në Turqi dhe aktualisht në shtetet evropiane), pushteti duhet t’i trajtojë vetëm si statistikë dhe jo si shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe si krime kundër njerëzimit?

12. Pse shqiptarët edhe më tej në këtë shtet vazhdojnë të trajtohen si numra, përqindje, e jo si qytetarë me të drejta të barabarta, si popull shtetformues në shtetin e tyre në Maqedoni, gjuha e tyre amtare shqipe si gjuhë zyrtare, jo vetëm nga pushteti, por edhe me fajin e politikanëve shqiptarë vasalë, të kapur nga pushteti, individë me dosje të trasha të korrupsionit dhe krimeve, mercenarë ordinerë të cilët nuk ia duna të mirën popullit të tyre, jo më popujve fqinj, të cilëve mund t’ua shesin interesat si karamele tek çdo armik i mundshëm?!

(25.XI.2018)

Loading...