Ndryshimet kushtetuese, opozita shqiptare kërkon ndihmë nga shumica

Shpërndaje

Opozita shqiptare pret mbështetjen nga faktori politik shqiptar në Qeveri me qëllim realizimin e kërkesave të tyre në ndryshimet kushtetuese si kujdesi ndaj diasporës shqiptare dhe trashëgimisë kulturore dhe historike të shqiptarëve. Lëvizja Besa kërkon që partitë parlamentare shqiptare të unifikohen rreth kësaj çështje me qëllim realizimin e kërkesave historike.

Ndihma e partive shqiptare të cilët janë në qeverisje do të ishte e mirëseardhur që të gjithë se bashku ta hapim këtë çështje dhe ashtu siç propozoi opozita shqiptare të gjendet edhe një zgjidhje. Ju ishit dëshmitarë se edhe kryeministri e pranoi se mund të bisedohet dhe do të konsultohet me ekspertë e tij që të gjendet një zgjidhje në këtë drejtim, dhe shpresoj se nëse të gjithë angazhohemi së bashku, faktori politik shqiptar përfshi partitë në shumicë por edhe kryeministrin, mund të gjendet një formulim juridik kushtetues që do t’i kënaqte aspiratat dhe interesat e të gjithëve në këtë proces- deklaroi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Aleanca për Shqiptarët kërkon që në nenin 49 të Kushtetutës të përcaktohet qartë kush përkujdeset për trashëgiminë kulturore dhe historike të shqiptarëve dhe jo të mbetet mundësi për interpretim.

Kërkojmë mbështetje nga gjithë faktori politik shqiptar që në këto momente mjaftë të rëndësishme të këmbëngul dhe vërejtjet tona të thëna në komision t’i merr parasysh Qeveria. Kur themi Qeveria, nuk nënkuptojmë vetëm kryeministrin Zaev por edhe përfaqësuesit shqiptar brenda në mënyrë që të mos kemi nevojë për amendamente plotësuese për këtë çështje por të rregullohet në bazë të kërkesave dhe vërejtjeve tona- Sdeklaroi Syrija Rashidi, Deputet i Aleancës për Shqiptarët .

Sipas BDI-së kërkesat e opozitës janë të mirëseardhura derisa prapa tyre nuk fshihen qëllime tjera. Partia shqiptare në pushtet pretendon se kërkesat e opozitës për shqiptarët janë kërkesa të njëjta edhe për etnitë tjera në vend.

Për të qenë korrekt kërkesa e opozitës nuk është që të ketë përkujdesje vetëm për diasporën shqiptare, por kërkojnë edhe për diasporën serbe, rome, vllahe, turke dhe të tjerët. Në fakt për bisedë jemi gjithmonë ta hapur dhe mund të diskutojmë për çfarëdo kërkesë të tyre përvec se për demagogjinë dhe dyfytyrësinë në qasje në rast se ekziston një e tillë- tha Artan Grubi, Deputet i BDI-së.

Lëvizja Besa, krahu i Afrim Gashit nuk duan të komentojnë thirrjen e opozitës për unifikim ndaj kërkesave shqiptare. Deputetët e krahut qeveritar të Besës nuk ishin aktiv as në Komisionin për Çështje Kushtetuese, por që mbështetën nevojën për qasje në ndryshimet Kushtetuese. Ditë më parë, Kuvendi miratoi edhe tekstin e draft-amendamentit të fundit të Qeverisë për ndryshime Kushtetuese në përputhje më marrëveshjen e Prespës. Më 1 dhjetor, draftet do të vendosen për votim në seancë plenare./alsat/

Loading...