Orban: Gruevskit i kemi borxh, na ndihmoi t’i ndalim refugjatët

Shpërndaje

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka folur sërish për azilin e Nikolla Gruevskit, me një fjalor dashamirësie dhe mbrojtës ndaj ish krymeministrit të Maqedonisë. Në një intervistë për radion Koshut, Orban deshi të amortizojë kritikat për dhënien e azilit duke kujtuar se Gruevski i ka ndihmuar Hungarisë shumë në bllokimin e valës së refugjatëve dhe për këtë gjë, Hungaria i ka shumë borxh.

“Pa ish kryeministrin, do e kishim shumë të vështirë që ta mbrojmë kufirin e Hungarisë, i pushtuar nga vala e refugjatëve. Përkundër faktit që kishim ndërtuar një mur me tela me gjemba. Ai kërkoi ndihmë prej nesh dhe ne i ndihmuam. Njeriu i trajton seriozisht aleatët e tij. Në 30 vjet histori të Hungarisë si shtet, nuk është hera e parë që të marrim në mbrojtje njerëz të rëndësishëm, por asnjëri nuk ka qenë në nivelin e Nikolla Gruevskit, i cili ishte personi kyç për kontrollin e korridorit të refugjatëve drejt Hungarisë”

Orban madje e mbrojti Gruevskin duke thënë se ai kishte qenë pre e sulmit nga Xhorxh Soros dhe organizatat e tij dhe doemos duhej të arratisej.

“Njeriu ishte në përndjekje konstante të organizatave të Xhorxh Sorosit në Maqedoni. Edhe njëherë do ta theksoj se ekzistojnë shumë luftëra juridike të komplikuara, dhe kërkesa për azil është një prej tyre. Por kjo është pjesë e një të drejte”

Gjatë intervistës, Orban ka siguruar se Qeveria e tij nuk u është përzier autoriteteve që kanë marrë vendimin e azilit për Gruevskin. Megjithatë, nuk ka dhënë një përgjigje të qartë se përse diplomatë të Hungarisë, e kanë shoqëruar Gruevskin madje prej territorit të Shqipërisë, e deri në Hungari.

Orban në fund të intervistës ka thënë se autoritetet hungareze do ta shqyrtojnë kërkesën për ekstradim, por para së gjithash, do ta kenë parasysh sigurinë e njerëzve që kanë fituar azil në shtetin e tyre.

Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski vetëm një javë pasi u arratis në Hungari, e fitoi statusin e refugjatit, pasi kishte përparësi shkaku i peshës së tij politike. Por në situata të rregullta, atij do i duhej të priste më shumë se gjashtë muaj për një përgjigje për azilin.

Edhe pse sinjalet nga Hungaria janë të qarta, se Gruevski nuk do të ekstradohet, autoritetet e Maqedonisë këmbëngulin që ai do të kthehet dhe do të vuajë burgun. Tani Gruevski rrezikon edhe një vepër të re, për të cilën dje Prokuroria Speciale ngriti akuzë. Ajo është për keqpërdorim të pozitës zyrtare si kryetar i VMRO-së, teksa po bëhej pastrim parash dhe financim i paligjshëm i partisë./SHENJA/

Loading...