Përkatësia etnike dhe fetare nuk do të përfshihen në regjistrimin e popullsisë në Maqedoni

Shpërndaje

Pyetësori i regjistrimit të popullsisë që do të zbatohet më 1 prill të vitit 2020 nuk do të përmbajë pyetjet e përkatësisë etnike dhe fetare. Për t’u kuptuar se cila është përkatësia e qytetarit do parashtrohet pyetje se cila gjuhë është gjuha amtare. Këtë e njoftoi drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Apostoll Simovski, i cili propozon që këto dy pyetje të fshihen sepse, sipas tij, janë keqpërdorur për qëllime politike, dhe kështu nuk duhet të jenë pjesë e regjistrimit të popullsisë.

Në regjistrimin e popullsisë do të përfshihen të gjithë qytetarët që jetojnë brenda dhe jashtë Maqedonisë, duke përfshirë duke përfshirë edhe qytetarët që jetojnë jashtë Maqedonisë për më shumë se një vit. Për personat që jetojnë jashtë shteti është paraparë regjistrim përmes web-aplikacionit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Regjistrimi i popullsisë në vitin 2020 është një mundësi për Maqedoninë që të kthehet në hartën statistikore evropiane. Dua të ju kujtoj se në Evropë shumë vende nuk bëjnë pyetje në lidhje me përkatësinë etnike dhe fetare, sepse ato konsiderohen të diskutueshme, edhe në disa vende është e ndaluar të parashtrohet pyetja për përkatësinë fetare dhe me Kushtetutë” thotë eksperti i regjistrimit të popullsisë, Wernard Hauk.

Pyetje më të zakonshme në BE janë pyetjet për gjuhën.

Regjistrimi i popullsisë do të zbatohet në mënyrë të kombinuar duke shfrytëzuar të dhënat nga shumë institucione si MPB-ja, Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës, MPJ-ja, Agjencia për punësim, Ministria e Arsimit, Regjistri Qendror dhe institucione tjera.

Regjistrimi i popullsisë do të kushtojë 8.5 milion euro dhe do ta zbatojnë 5 mijë persona në 8 gjuhë. Deri në fund të vitit pritet draft-ligji për regjistrimin e popullsisë të kalojë në Qeveri, ndërsa vitin e ardhshëm duhet të miratohet në Kuvend./Telegrafi/

Loading...